Deri dje ishte partizan i vaksinimit masiv madje edhe me detyrim të popullatës, në një kohë që gjithmonë ka kërkuar ashpërsim të masave anti-Covid për popullatën, mbyllje të shkollave, si dhe arrestimin e atyre që “predikojnë” mos bërjen e vaksinave.
Por sot befas, anëtari i Komitetit Teknik Dr. Skënder Brataj, e ka ndryshuar befas mendimin e tij, të paktën për efektshmërinë e vaksinës.
Brataj e vlerëson shumë kritike situatën e Covid 19, për shkak të dezinformimit të qytetarëve nga rrjete sociale, apo nga persona jo profesionistë, të cilët sipas tij, po bëjnë që qytetarët të mos vaksinohen.
Ai tregon se, vaksina nuk të mbron 100%, por ka njerëz që për shkak të teorive konspirative qëndrojnë të sëmurë në shtëpi e nuk kërkojnë ndihmë mjekësore.
“Është një moment shumë kritik për arsye të informacionit të shumtë që vjen nga të gjitha anët dhe sidomos për interpretimin e tij. Por që të kesh një bilanc të tillë me 1115 vizita vetëm Covid dhe 984 telefonata, është se dizinformimi është shumë i dëmshëm.
Ka shumë të sëmurë në banesa që nuk kërkojnë ndihmë mjekësore sepse janë ende me idenë që virusi nuk ekziston. Vaksina nuk të shpëton. Vaksina nuk të mbron 100%.
Nuk do të thotë që po e bëre nuk infektohesh dhe nuk humbet jetën. Të mbron. Fakti që në këtë moment kemi më shumë mosha të reja të infektuar, do të thotë se nuk janë vaksinuar”,- tha ai.
Në spitalet covid po trajtohen 195 qytetarë, mes tyre 13 janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se kanë ndërruar jetë edhe pesë persona të tjerë si dhe janë identifikuar 995 raste të reja me Covid-19.
/Priza.al/