Ish-ylli brazilian, Rivaldo, ka treguar pse nuk mori pjesë në funeralin e Peles. Mesfushori në pension ishte një nga shumë futbollistë brazilianë që nuk mori pjesë në funeralin e legjendës, pasi Pele u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare. Besohet se më shumë se 230 mijë njerëz morën pjesë në ceremoninë mortore në Santos, Brazil, për të nderuar vdekjen e tri herë fituesit të Kupës së Botës.
Megjithatë, Rivaldo nuk ishte njëri prej tyre. Ai shpjegoi mungesën e tij duke u shprehur se: “Edhe sikur të isha në Brazil, nuk jam i sigurt nëse do të shkoja në ceremoni edhe pse e di që Pele ishte më i miri i të gjitha kohërave. Nuk më pëlqen të bëj homazhe në këtë kohë, nuk jam kundër askujt që dëshiron ta bëjë këtë. E takova Pelen, pata disa biseda me të dhe pata rastin ta nderoj kur ishte gjallë.
Kam shfaqur dashurinë dhe admirimin tim për të në çdo moment dhe ai gjithmonë më falenderonte për këtë. Askush nuk do ta ndryshojë respektin dhe admirimin që kisha dhe vazhdoj të kem për të, pavarësisht se nuk shkova në homazhe. Nderimi më i mirë është kur është gjallë, këtë e bëra dhe e kam ndërgjegjen shumë të pastër”, është shprehur Rivaldo.