Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 26-vjeçar ditën e sotme pasi ishte shpallur në kërkim dhe gjatë kësaj kohe kanoste një vajzë, për t’i marrë para, duke e shantazhuar se do t’i publikonte foto intime në rrjetet sociale.
Njoftimi i Policisë:
Strukturat hetimore të DVP Durrës në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Durrës në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëorganizuar kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Pagesa e fundit”, në kuadër të të cilit u ndalua shtetasi M. K., 26 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Shtrengimi me anë të kanosjes apo dhunës për dhënie pasurie”, pasi në mënyrë të përsëritur, ka shantazhuar dhe kanosur një shtetase, duke i kërkuar shuma të ndryshme të vlerave monetare ose në të kundërt do publikonte në rrjete sociale foto intime.
Gjatë kapjes dhe ndalimit nga forcat e Policisë, ky shtetas po tërhiqte një sasi vlere monetare në një pikë të transferimit të parave, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
/Priza.al/