Tashmë nuk ka më dyshime sa i takon të ardhmes së Giacomo Vrionit. Sulmuesi i kombëtares ka zgjedhur të braktisë Europën dhe të fluturojë drejt Amerikës me 23-vjeçarin që është shndërruar në lojtarin më të ri të New England Revolution, skuadër e elitës në MLS.
Kështu, Vrioni përshëndetet me Juventusin, ndërsa ka vendosur edhe një rekord sa i takon klubit bardhezi. Kjo pasi Vrioni është bërë lojtari i parë që largohet nga ekipi U23 i torinezëve për të luajtur në kampionatin elitar të Amerikës.
Kujtojmë se lojtari shqiptar shkëlqeu në sezonin e kaluar me Tirol ku luajti si i huazuar duke u shpallur edhe golashënuesi më i mirë në kampionatin austriak. Falë kësaj, ofertat për Vrionin ishin të shumta megjithatë sulmuesi zgjodhi Amerikën ndërsa ky mbetet për t’u parë nëse një transferim i tillë do ta penalizojë në grumbullimet me kombëtaren.