Mond Çekiçi, anëtar i bandës së Durrësit, u vra sot më armë zjarri mbrapa drejtorisë Arsimore në Durrës, brenda makinës së tij.
Përmes dëshmive të mbledhura në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka ndërtuar dinamikën e atentatit ku mbeti i ekzekutuar Edmond Koçi i njohur dhe si Mond Çekiçi, baba i dy fëmijëve. Atentatorët e kanë ndjekur Mond Çekiçin nga banesa e tij në lagjen nr. 1 të qytetit drejt lagjes ku është rritur në afërsi të stadiumit, Niko Dovana.
Ky ka qenë itinerari i zakonshëm i viktimës që mëngjesin e sotëm, si zakonisht po lëvziste me automjetin tip “Benz”, bashkë me shoferin e tij. Në momentin kur kanë ulur shpejtësinë për të parkuar automjetin, pranë lokalit ku viktima pinte zakonisht kafen e mëngjesit, mjeti i autorëve ka qenë pas tyre dhe ka kaluar përbri mjetit duke qëlluar me breshëri në drejtim të krahut të pasagjerit të parë ku ndodhej i ulur Mond Çekiçi.
Shoferi ka dalë me shpejtësi nga mjeti dhe është larguar për t’i shpëtuar breshërisë së plumbave. Nga hetimet deri në këtë fazë rezulton se nuk ka pasur debat mes shoferit dhe atentatorëve. Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt pa i dhënë mundësi Çekiçit të reagojë. Gëzhojat e tyre janë shpërndarë në zonën përreth, veçanërisht në ambientet e jashtme të lokalit.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se mbi 38 gëzhoja janë gjetur nga kqyrja e vendit të ngjarjes. Rreth 30 minuta më vonë, policia u njoftua për një automjet që digjej në Sukth. Në polici për të dhënë dëshminë rreth ngjarjes është shoqëruar shoferi i mjetit ku u vra viktima si dhe disa persona të tjerë në cilësinë e atyre që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen dhe zhvillimet e saj./ Top Channel