E pabesueshme ajo që raportohet nga “The Times”. Cristiano Ronaldo padiskutim po përjeton momentet më të këqija në karrierën e tij futbollistike.
Sulmuesi portugez kërkon dëshpërimisht të largohet nga “Old Trafford” pasi tashmë për teknikun Erik ten Hag nuk është as një zgjedhje për formacionin bazë, teksa ndeshjet e fundit me Manchester United i ka nisur nga stoli.
Por përveç kësaj shumë skuadra janë raportuar se kanë refuzuar transferimin e CR7, pasi nuk mbulojnë dot kërkesat financiare të ish-yllit të Real Madrid.
Si një “rrufe në qiell” të hapur ka ardhur edhe refuzimi nga ish-klubi i portugezit. Bëhet fjalë për Sportingun Lisbonës, ku trajneri aktual i skuadrës portugeze, Ruben Amorim ka dal menjëherë kundër një rikthimi të mundshëm të 37-vjeçarit dhe ka kërcënuar klubin se, nëse do të dërgohej një ofertë drejt sulmuesit veteran, ai do të jepte dorëheqjen.
Prej kohës tashmë e ardhmja e Ronaldos është pezull, teksa vetëm dy ditë kanë mbetur që nga mbyllja zyrtare e merkatës dhe mbetet të presim për të mësuar se çfarë do të sjellin 48 orët e fundit për CR7-tën.