Bajram Begaj do të depozitojë kërkesën për dorëheqjen e tij si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, pasi është propozuar nga Partia Socialiste për president. Mirëpo, kjo procedurë përfshin edhe kryetarin aktual të shtetit, Ilir Meta, i cili duhet të bëjë lirimin, pasi është Komandat i Përgjithshëm i FA.
Në mbledhjen e grupit parlamentar, Taulant Balla tha se ka vetëm 90 minuta kohë që Meta të bëjë lirimin e Begajt nga posti në FA dhe në këtë mënyrë të vazhdojë rrugëtimin e tij drejt Presidencës për ta pasuar. Megjithatë, Balla tha se e kanë menduar zgjidhjen nëse Meta iu krijon një ngërç në këtë proces.
Kandidati ka depozituar kërkesën e tij për dorëheqje nga detyra kështu që është një aspekt i rëndësishëm por në legjislacionin përkatës ligji për FA ushtarakët duhet të japin dorëheqje para se të emërohen apo zgjidhen. Kjo procedurë do të përfshijë brenda orëve në vijim edhe president aktual që duhet të bëjë lirimin. Kjo mendoj unë nuk duhet të jetë një betejë e radhës. Kemi menduar edhe mënyrën e zgjidhjes nëse na krijohet ndonjë ngërç me presidentin”, tha Balla.
Në mbledhjen e Kryesisë dje socialistët propozuan Bajram Begaj për president të ri të vendit. Kandidatura e tij do të depozitohet në orën 12:00 në Kuvend me 20 firmat mbështetëse, siç e parashikon Kushtetuta. Ndërsa orën 18:00 do të mbahet seanca e posaçme në Kuvend për ta votuar.