Në nxehtësinë ekstreme të shkretëtirës saudite, gjithçka mund të duket si një mirazh, por fotografi Khaled Al Enazi dalloi një shkëmb gjigant në formë peshku që kishte dalë nga rëra. Al Enazi teksa po xhironte përmes një droni thesaret arkeologjike të zonës Al-Ula në Arabinë Saudite, shkrepi imazhin e formacionit të pazakontë.
Ai thotë se nuk është personi i parë që ndeshet me shkëmbin e veçantë, por perspektiva e fotografisë së tij nga lart është e para që vë në dukjen formën e peshkut.
Po dokumentoja zonën dhe një pamje mali u shfaq para meje. Forma e tij ngjasonte me një peshk në zemër të shkretëtirës. Shpeshherë, syri i fotografit sheh atë që njerëzit nuk e shohin.
Në pamjet me dron të regjistruara nga Al Enazi, formacioni shkëmbor i ngjan një krijese ujore që noton përmes rërës së artë, ndërsa fletët e tij të bëjnë të mendosh se mund të jetë një peshkaqen që po del nga thellësia për të kapur prenë e tij.
Për këtë arsye, fotografi e quajti shkëmbin “Peshku i shkretëtirës”. Kur pamjet e publikuan për herë të parë, shumë njerëz nisën të mendonin se shkëmbinjtë janë në fakt mbetjet e një bishe gjigante deti që është fosilizuar miliona vjet më parë.
Por, sipas ekspertëve nuk kemi të bëjmë me diçka të tillë, por thjesht me një gur ranor të formuar nga shumë faktorë gjeologjikë dhe atmosferikë. Në shkretëtirën AL-Ula, qytetërimet e lashta kanë lënë pas rrënoja të shumta arkeologjike, si për shembull disa varre të gdhendura në shkëmbinj, që sot janë të mbrojtura nga UNESCO.
Por përveç kryeveprave të realizuara nga dora e njeriut, në këtë shkretëtirë janë të shumta edhe mrekullitë natyrore. Përpara se të shfaqej shkëmbi në formë peshku, në këtë zonë u bënë të famshëm edhe shkëmbinj të tjerë në forma të ndryshme, të ngjashëm me një elefant, një kërpudhë, një fytyrë njeriu etj.