`Alba Exotic Fruit` apo `Alba Exotic Kokaina`? Kompania e specializuar në tregtimin e bananeve nga Ekuadori në Shqipëri duket se transporton diçka akoma më `ekzotike` se kaq.
Në aksionin e radhës në portin e Durrësit të koduar `Rada`, policia shqiptare zbuloi për të katërtën herë lëndë narkotike dhe sekuestroi 7.7 kg kokainë, e ndarë në 8 pako. Kokaina ishte e fshehur në pjesën fundore te kapakët e motorëve frigoriferike dhe vinte nga Ekuadori në llogari të firmës ‘Alba Exotic Fruit’.
Hetimi u bë nën drejtimin e SPAK, ndërsa operacioni është ende në zhvillim në kontrollin e kontejnerëve të tjerë në Portin e Durrësit.
‘Alba Exotic Fruit’ nuk po di të ndalet në rrugën e saj të transportit të kokainës në vend, edhe pse menaxheri i saj Barjon Gumeni është në burg, ndërsa administratori i firmës Eduart Dauti, është në kërkim.
Kujtojmë se vetëm në muajin korrik është kapur 3 herë duke transportuar drogë të fshehur brenda kamionëve me bananeve. Më 13 korrik në Portin e Durrësit u gjetën dhe u sekuestruan 11 kg e 675, ndërsa 10 ditë më vonë, më 23 korrik u gjetën 6.5 kilogramë të tjera, të cilat ishin fshehur në kontejnerët e po të njëjtës kompani. Më 29 korrik kompanisë iu gjetën dhe u sekuestruan 7.25 kilogramë kokainë po në vijim të operacionit “Rada”.
Kompania ‘Alba Exotic Fruit’ rezulton e përmendur edhe më parë në ‘histori’ me trafik droge ku në vitin 2019, në kontejnerët e kësaj kompanie, në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësua me oriz me GPS nga autoritetet. Për kokainën e ngarkuar në kontejnerët e ‘Alba Exotic Fruit’ në 2019 u arrestuan Altin Myslihaka dhe Ardian Begaj dhe u shpall në kërkim Gentian Malindi.
Për sasitë e kokainës të kapura së fundmi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka lënë në burg Barjon Gumenin, menaxherin e kompanisë “Alba Ekzotik Fruit”. Gumeni nuk ka pranuar akuzat, duke mohuar përfshirjen e tij në trafikun e drogës, ndërsa ka thënë se nuk ka patur dijeni për sasinë e kokainës që u gjet në kontejner. Ai është edhe aksioner në kompani, ku zotëron 10% të aksioneve, ndërsa 90% janë në zotërim të Eduart Dautit, i cili është shpallur në kërkim.
Kompania shqiptare “Alba Exotic fruit” është me seli në Kombinat dhe që operon në treg që nga viti 2011.
Njoftimi nga Policia e Durrësit:
Vijon operacioni policor i koduar “Rada”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Në kuadër të operacionit “Rada”, të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritet doganore të Portit janë gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike kokainë në një nga kontenierët për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, tjetër sasi kokaine është sekuestruar ditën e sotme.
Në vijim të operacionit “Rada”, ditën e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit, është ushtruar kontroll i imtësishëm në një nga kontenierët i ngarkuar me banane i ardhur nga Ekuadori, për llogari të kësaj firme, ku si rezultat i kontrollit të imtësishëm në pjesën fundore te kapakët e motorrëve frigoriferike, u gjetën dhe u sekuestruan 8 pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë.
Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit vijon veprimet hetimore, nën drejtimin e SPAK-ut.
Në nisje të operacionit, nga taskforca permanente që vepron në hyrje dhe në dalje të Portit të Durrësit, më datë 13.07.2021, është arrestuar në flagrancë shtetasi B. G., (menaxheri i firmës) dhe është shpallur në kërkim administratori i firmës shtetasi E. D.
/Priza.al/