Kei Piu, 26-vjeçari i cili mbeti i plagosur mbrëmjen e djeshme në Elbasan pas një sherri me të rinj në një lokal, është arrestuar pasi ka tentuar të fshehë ngjarjen. Mësohet se Piu nuk ka parnuar të bashkëpunojë me grupin hetimor për zbardhjen e ngjarjes. Ai nuk ka dhënë dëshminë e plotë para uniformave blu, duke detyruar zyrtarët e grupit hetimor të ngrenë ndaj tij akuzën për ‘veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Piu pasi ka kryer të gjitha kontrollet në qendrën spitalore Xhaferr Kongoli në Elbasan është shoqëruar për në ambientet e drejtorisë se policisë Elbasan, ku dhe i është komunikuar arrestimi. Mësohet se Kei Piu ka deklaruar se është lënduar në ambientet e palestrës që ka në pronësi.
Dëshmia e tij bie në kontradiktë me versionin e Policisë, pasi kjo e fundit ka mundur të sigurojë pamjet e sigurisë në lokalin ku ka ndodhur ngjarja dhe vërtetojnë se ai është plagosur pas një sherri me të rinj. Pamjet e sigurisë janë sekuestruar me urdhër të prokurorisë se Elbasanit.
Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e kaluar në Elbasan, ku 26-vjeçari Kei Piu është konfliktuar me një grup të rinj në një lokal. Ata janë zënë me gota qelqi dhe Kei Piu mbeti i plagosur. Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes.
I riu rezulton të jetë emër i njohur pasi në janar të vitit 2020 ndaj tij është kryer një atentat me armë zjarri brenda makinës tip ‘Range Rover’ duke e lënë të plagosur. Më herët i riu ishte arrestuar nga policia për drogë.