Elena Kocaqi kryeson në rrjetet sociale në lidhje me emrin e mundshëm për të qenë presidentja e Shqipërisë. Ka qenë vetë përdoruesit e rrjeteve ata të cilët kanë votuar historianen për të zëvendësuar Ilir Metën. Sakaq, Kocaqi ka reaguar në një intervistë që dha për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, duke thënë se ajo di të ruaj shtetin dhe të respektojë Kushtetutën, pasi ka përfunduar studimet e larta për juridik.
“Kam parë sondazhe që janë bërë, se kam menduar se kam bërë shumë punë nga bota akademike. Por kur pashë që në rrjet po votohej më vinte lajmërimi dhe e ndjeva për detyrë që të bëja një status publik se unë mund t’i përfaqësoj ata. Ishte një letër falënderimi për publikun që më kanë votuar. Vetë Elena është realizuar. I kam të gjitha dhe nuk ka nder më të lartë që të jesh staf akademik në universitet. Ndërsa posti i presidentit është në ato merita që ti mund të kontribuosh për vendin tënd. Kontributin e kam detyrim njëherë si qytetare shqiptare edhe së dyti si një qytetarë e shkolluar me taksat e shqiptarëve.
Duke qenë se jam për juridik, e njoh shtetin dhe di pozicionin e presidentit, di ta ruaj shtetin, të respektoj Kushtetutën dhe të mos krijoj probleme institucionale. E njoh shumë mirë dhe aspektin qeverisës dhe duke qenë se kam mbaruar dhe për histori dhe doktoraturë për marrëdhëniet ndërkombëtare, njoh problematikat dhe sjelljet e shteteve dhe interesat gjeo-strategjikë”, tha ajo.
E pyetur në lidhje se a duhet të jetë grua ajo e cila duhet të zërë postin e presidentin, Kocaqi u shpreh se “Ne kemi 2250 vjet që nga koha e Ilirisë që nuk kemi një grua në krye të shtetit, që nga Teuta. Do të ishte historike për Shqipërinë.
Ndërsa përsa i përket çështjes se së çfarë mund të bënte ajo në krye të shtetit, Eleni tha se “Në dorë e ka qeverisja për të bërë shumë gjëra sepse kompetencat e presidentit janë në Kushtetutë. Presidenti nuk duhet të ndërhyjë dhe të mos merret me politikë. Duke qenë se kanë ardhur nga parti politike, dashur pa dashur kanë kaluar nga interesat e tyre.
Qytetarëve nuk iu kemi dhënë komoditet dhe rehati, kemi pasur stres shumë të madh në politik. Nëse presidenti do të zgjidhej nga populli, qytetarët shqiptarë do të më besonin një pozicion të tillë. Për mua nëse do të ishte kandidatura do të doja të kisha të dyja palët, sepse jam aty për të qenë mbi palët.“, shtoi ndër të tjera ajo.