Nuk ka mundur që t’u mbijetojë plagëve të marra dhe për pasojë ka ndërruar jetë në spitalin e Shkodrës, ish-deputeti dhe ish-kryebashkiaku i Velipojës, Pashko Ujka.
Pashko Ujka, 64-vjeçar nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra, teksa ishte qëlluar me plumb në shpinë me një armë me silenciator, në një kohë që atentatori nuk është identifikuar ende.
Me gjithë ndërhyrjen e mjekëve, Ujka ka ndërruar jetë pas rreth dy orësh nga atentati që iu bë pranë banesës së tij.
Policia ndërkohë është vënë në kërkim të autorit dhe ka ngritur disa postblloqe për kapjen e tij. Po kështu janë sekuestruar dhe pamjet e kamerave të sigurisë, pranë vendit të ngjarjes, megjithëse moti i keq vështirëson qartësinë e tyre.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:15 në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër, kur 64-vjeçari po lëvizte më këmbë me bashkëshorten e tij. Janë ende të paqarta rrethanat e ngjarjes dhe grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e tyre.
/Priza.al/