Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në rezervuarin e Gjançit në Korçë, ku një person është mbytur duke humbur si pasojë jetën. Trupi i tij është gjetur mbi sipërfaqen e ujit nga banorët e zonës. Këto të fundit po ndihmojnë policinë e juglindjes në identifikimin e viktimës, por deri tani edhe ata e kanë pasur të pamundur të zbulojnë identitetin. Efektivët hedhin dyshime që të mos jetë banor i fshatrave të Njësisë Administrative Vithkuq.
Policia po heton për shkaqet e mbytjes ndërkohë që ka siguruar një perimetër të gjerë sigurie duke mbajtur shumë larg edhe kamerat e gazetarëve. Deri tani efektivët nuk kanë bërë me dije nëse në trupin e personit të gjetur të mbytur në ujërat e rezervuarit të Gjançit janë konstatuar shenja dhune apo elementë të tjerë. Ajo çfarë dihet është se në vendin e ngjarjes krahas grupit të hetimit dhe ekspertëve të kriminalistikës kanë qenë edhe mjekët ligjorë.
Njoftimi i plotë:
Më datë 13.06.2021, rreth orës 11:13, në rezervuarin e Gjançit, në Korçë, është konstatuar i mbytur një shtetas ende i paidentifikuar. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe vijon puna për identifikimin e trupit të pajetë si dhe për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Trupi i pajetë do të dërgohet drejt morgut, përgjigjja e ekspertizës mjekoligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes.