Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në kryeqytet. Një person ka qëlluar me thikë pesë shtetas tek rruga e Kavajës. Përplasja ka nisur brenda xhamisë “Dine Hoxha”, dhe më pas është zhvendosur në rrugë.
Policia ka neutralizuar dhe arrestuar autorin e ngjarjes, që është shtetasi Rudolf Nikolli 34 vjeç, nga Burreli.
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 14:30, në Rrugën e Kavajës, një shtetas është futur në ambientet e një kulti fetar (xhami) dhe në rrethana ende të paqarta ka plagosur me mjet prerës 5 shtetas.
Falë reagimit profesional dhe të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur neutralizimi dhe prangosja e autorit të dyshuar, shtetasi Rudolf Nikolli 34 vjeç, nga Burreli, i cili po shoqërohet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë iu kanë dhënë ndihmën e parë shtetasve të lënduar, të cilët janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.