Shënohet viktima e parë nga zjarri në vend/ Humb jetën i moshuari në Gjirokastër, bashkëshortja me djegie në trup

Është shënuar viktima e parë nga zjarret në Shqipëri.

Raportohet se ka humbur jetën një i moshuar në fshatin “Asim Zeneli”, ku situata nga zjarri ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa ka nisur dhe evakuimi i banorëve.

Lajmi i rëndë është konfirmuar nga burime zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes. Gjithashtu, të njëjtat burime raportojnë se edhe gruaja e të ndjerit ka pësuar djegie në trup.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, është nisur nga Vlora drejt fshatit të Gjirokastrës, ku situata është tejet e rënduar dhe flakët e tymi janë futur në banesa.

Situata është mjaft kritike në fshatrat Asim Zeneli, Lunxhëri-Antigone dhe Krinë të Gjirokastrës. Mësohet se përveç viktimës së parë që u shënua para pak minutash, ka edhe persona të tjerë që kanë mbetur të plagosur, pasi kanë pësuar djegie për shkak të flakëve që u kanë përfshirë banesat.

Drejt këtyre zonave kanë shkuar pesë auto-ambulanca të tjera. Pritet që në vijim të zbardhen detaje të tjera në lidhje me situatën e rëndë në këto fshatra.

Sot u shënua viktima e parë pas më shumë se dhjetë ditësh që Shqipëria është përfshirë nga flakët.

Andrea Haxhiaj ndodhej në banesën e tij në fshatin Asim Zeneli bashkë me të shoqen në momentin që janë përfshirë nga flakët. 60-vjeçari ka përsuar dëme të mëdha në trup duke humbur jetën, ndërsa bashkëshortja e tij ndodhet në spital, në gjendje të rëndë.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *