E rëndë në Kosovë! Nënë e bijë qëllohen me armë pas sherrit për pronat, autori humb jetën gjatë përplasjes me policinë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Kosovë, ku për pasojë janë plagosur nënë e bijë, ndërsa ka vdekur një i tretë.

Ngjarja ndodhi në Fushë Kosovë, ku nënë e bijë u qëlluan me armë zjarri teksa lëviznin me makinë. Dyshimet janë se shkak i sulmit ishte një sherr për pronat. Për pasojë të dyja mbetën të plagosura. Gratë janë të moshave 44 dhe 64 vjeç. Njëra i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa tjetra ka marrë dëmtime në duar.

Pas të shtënave policia identifikoi autorin dhe u vu në ndjekje të tij. Por ai ka hapur zjarr ndaj efektivëve dhe ka pasur shkëmbim të shtënash. Më pas policët e gjetën atë të plagosur në një arë, por pas dërgimit në spital ndërroi jetë. Po hetohet nëse ka qëlluar veten apo vdiq si pasojë e të shtënave të policisë.

“Mbështetur në informacionet e pranuara në rrugë operative, policia ka lokalizuar vendndodhjen e të dyshuarit dhe menjëherë ka orientuar veprimet e saja taktike-operative në drejtim të arrestimit të të dyshuarit. Për rrjedhojë, i dyshuari i armatosur, në përpjekje për t’iu shmangur arrestit policor në rrugën “Fehmi Lladrovci” në Fushë Kosovë, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë duke rrezikuar drejtpërsëdrejti jetën e policëve si dhe qytetarëve përreth, dhe me këtë rast ka bërë të domosdoshëm dhe të pashmangshëm ndërmarrjen e të gjitha veprimeve policore në përputhje me autorizimet tyre. Ndërkaq që sulmi ndaj policisë është neutralizuar i dyshuari në përpjekje e sipër për t’iu shmangur arrestit policor, në rrethana që aktualisht po trajtohen ka marrë plagë nga shkrepja e armës së zjarrit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në lidhje me gjendjen e dy grave, ka folur mjeku Ejup Govori. “Janë dy të plagosura me armë zjarri. Njëra është në ekstremitete të sipërme ndërsa tjetra është me lëndime në bark. Gruaja që është më në moshë, viti 59 sipas të gjitha gjasave është me lëndime më serioze, ka frakturë. Nuk janë në rrezik për jetë por kanë lëndime serioze”, është shprehur ai.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *