Një vajzë 15-vjeçare nga Tetova ka vdekur në Klinikën Infektive në Shkup, për shkak të komplikimeve nga koronavirusi, konfirmuan autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut.
Sipas tyre, vajza u soll në gjendje shumë të rëndë nga spitali i Tetovës, ku u trajtua për dy ditë. Sipas raportit mjekësor, pacientja nuk ishte e vaksinuar.
“Bëhet fjalë për një paciente, e cila nuk ishte vaksinuar dhe për të cilen nuk kemi detaje nga të dhënat që kemi marrë nga babai i saj, nëse ajo vuante nga sëmundje të tjera kronike. Por, është një vajzë që kishte mbipeshë, gjë që bart rrezikun e sëmundjeve të komplikuara dhe të rënda”, tha Millena Stevanoviq, drejtore e Klinikës Universitare për Sëmundje Infektive në Shkup.
Kjo është viktima më e re që ka humbur jetën nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut. Të mërkurën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë vend, janë regjistruar gjithsej 26 viktima dhe 905 të infektuar me koronavirus.
Rastet e reja rezultuan pas testimit të 4,982 mostrave. Viktimat janë: tetë në Shkup, gjashtë në Tetovë, tri në Strugë, nga dy në Gostivar dhe Kërçovë dhe nga një në Prilep, Ohër, Vinicë, Dibër dhe Kratovë.
Numri total i viktimave nga koronavirusi në Maqedoninë e Veirut ka arritur në 5,954. Numri i rasteve aktive në këtë vend është 14,785. /REL