Pas vrasjes së 58-vjeçarit Ismet Çekoja në Shkodër dhe plagosjes së një 45-vjeçari në Dibër, një ngjarje e rëndë është shënuar në Vlorë.
U mësua se në orën 19:40, në lagjen “Partizani” dyshohet se nga një automjet tip “Volkswagen”, një person ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Audi” me të cilin udhëtonin dy punonjës të Policisë së Vlorës. Për fat të mirë, dy efektivët nuk janë dëmtuar.
Policia e Vlorës thekson se ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/Informacion paraprak
Rreth orës 19:40, në lagjen “Partizani”, në rrethana ende të paqarta, dyshohet se nga një automjet tip “Volksëagen”, një shtetas ende i paidentifikuar, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Audi” me të cilin udhëtonin shtetasit A. B., me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë dhe N. M., me detyrë punonjës i Policisë Kufitare Sarandë, të cilët nuk kanë pësuar dëmtime.
Në momentin e ngjarjes, punonjësit e Policë kanë qenë jashtë shërbimit, duke udhëtuar me automjet privat.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.