Hajdar Muneka, diplomat i njohur dhe gazetar i spikatur, është ndarë nga jeta ditën e djeshme në moshën 68 -vjeçare.
Sakaq, lajmi është konfirmuar nga familja.
Mësohet se gazetari i njohur, vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë, me të cilën luftoi deri në fund, por pa mundur ta fitojë këtë betejë.
Hajdar Muneka kontribuoi për vite me radhë në shërbimin diplomatik shqiptar dhe ishte një njohës shumë i mirë i çështjeve aziatike.
Ndër të tjera ka qenë edhe ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kinë dhe Maljazi.
Muneka do të mbahet mend edhe si një gazetar i njohur i problemeve ndërkombëtare, pasi për vite të tëra vite ka qenë gazetar në Radio Tirana, në Radion e jashtme duke dhënë një kontribut të spikatur.
Përvojën e tij gazetareske dhe diplomatike Hajdar Muneka e ka përmbledhur në librin e tij “ Dritëhijet e një miqësie që çuditi botën”, një ese me vlerë për historinë e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kinës.
Një tjetër vepër nga kjo temë pritet të botohet pas ndarjes së tij nga jeta.
Hajdar Muneka ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Ambasadorëve shqiptarë , ku kontribuoi me eksperiencën tij te gjatë në fushën e diplomacisë.