‘E vërteta e pushtetit dhe pushteti i së vërtetës’

Nga pastor Akil Pano

“Paanshmëria është një fjalë pompoze për indiferencën, e cila është një fjalë elegante për injorancën”. Çestertoni.

Një nga tundimet jo të vogla të kësaj epoke për predikuesit e fesë dhe mësuesit e moralit, është braktisja e së vërtetës, shmangja nga udha e drejtë.

Largimi nga predikimi me të vërteta të plota e të qarta nga Fjala e Zotit dhe ndërtimi i katedrës së një kompromisi dramatik, ku e vërteta nuk është më e shenjtë e as prioritare.

Kjo, për shkakun e thjeshtë; i druhemi më shumë njeriut se Zotit. Nga dëshira për të pasur një audiencë të gjerë… Prej frikës se dikush fyhet… Nga meraku për të qenë ‘politikisht korrekt!’

Mbi këtë të fundit, Fjalori Kembrixh e lidh termin ‘politikisht korrekt’ me njeriun që beson se gjuha dhe veprimet që mund të jenë fyese për të tjerët, veçanërisht ato që lidhen me çështje si; seksi dhe raca , duhet të shmangen.

Kështu kemi zhvilluar fjalë të reja duke ndryshuar fjalorin me synimin e kujdesit të mos lëndojmë askënd, duke shmangur të vërtetën nga frika e efekteve të saj.

Lehtësisht dakordësojmë idenë; njeriu dhe mirëqenia e tij mbi të gjitha.

Por pyetja që shtrohet është; po e vërteta? A është e vërteta e rëndësishme? Fundja, për kë?

Në një kulturë e cila refuzon absolutet dhe të vërtetës i jep vlerë vetëm nga pikëpamja e një interpretimi personal; a është dikush ende i interesuar për të vërtetën?

Rreth dymijë vite më parë në Gjykatën Romake të Krimeve të Rënda e cila drejtohej nga kryeprokurori i kohës, Romaku me emrin Pilat, zhvillohet një bisedë e shkurtër mes të arrestuatit që priste gjykimin e masës dhe prokurorit.

Biseda shkon kështu:

Atëherë Pilati i tha: “Ti, pra, qenke mbret?”. Jezusi u përgjigj: “Ti thua se unë jam mbret; për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim”. Pilati e pyeti: “Ç’është e vërteta?”. Dhe, si foli këtë, doli përsëri para Judenjve dhe u tha atyre: “Unë nuk po gjej në të asnjë faj! Gjoni 19:37-38

Në një kohë kur shumica nuk është e interesuar për të vërtetën, fatkeqësisht këtu përfshihen dhe njerëzit si Pilati, të cilët nuk e gjejnë më kuptimin e jetës tek e vërteta, pavarësisht se objekti i punës së tyre lidhet me të vërtetën; dikush mbetet në mënyrë të pandryshueshme i interesuar.

Zoti është i interesuar për të vërtetën, madje shumë.

Jo vetëm për faktin se çdo e pavërtetë, a gjysmë e vërtetë janë keqprezantimi i Qenies së tij, i Cili është Burimi dhe Ruajtësi i të Vërtetës.

Por për shkakun e njeriut, që mbetet gjithnjë në kërkim të gjejë të vërtetën, në mënyrë që të gjejë veten dhe drejtimin që duhet të marrë përgjatë shtegut të jetës.

Në përpjekje për ta ’mbajtur mirë’ mundësisht me të gjithë, kemi mbivlerësuar termat; ‘politikisht korrekt’ dhe ‘paanshmëri’ dhe këtë e kemi bërë duke paguar një çmim të lartë; shmangjen dhe shpërfilljen e së vërtetës.

Bota po popullohet me mësues të moralit të cilët njëlloj si Pilati, nuk e gjejnë kuptimin e jetës tek e vërteta, por tek pushteti, mirëqenia dhe komoditeti.

Komoditeti i sotëm i shpalljes së gjysmë të vërtetave dhe mesazheve përkëdhelëse, nesër do të përbëjë makthin e pashmangshëm të prindërve të pafuqishëm për të sjellë ngushëllim dhe shërim tek brezi i fëmijëve që sot rritëm pa të vërtetën.

Kështu do te themi se dështuam të ndërtonim një botë më të mirë për ta, ndërsa ata do të na pyesin; “Ç’është e vërteta!”

Sot refuzojmë idenë se e nesërmja do të vijë shpejt.

Me arrogancë sillemi sikur të ishim pronarë të jetës.

Mendojmë se i kemi vënë zinxhir kohës, ndërsa ajo shpërfill me ikje pa kthyer pas kokën.

Duke qenë se jemi tepër të zënë me veten, s’kemi kohë të shohim kohën në vrapimin e saj shpërfillës.

Mendojmë se jetojmë në një univers lirie, por këtë e kemi keqkuptuar kur refuzuam të njohim një autoritet më të lartë tej vetes.

Projektuam një kontinent pa kufij, por dështuam të shndërronim familjen njerëzore në një vëllazëri!

Aspiruam një univers moral pa moral, si rrjedhojë dështuam të ndërtojmë njeriun.

Njeriu, familjen dhe familja, shtetin e së drejtës.

Sot, çdokush që është thirrur t’i shërbejë Zotit, ka përgjegjësinë e shenjtë të kujtojë e veprojë në përputhje me që kërkesën e lartë e këtij shërbimi; besnikërinë ndaj së vërtetës.

Vështroni për një moment Jezusin përballë autoritetit politik më të lartë të kohës në provincën ku jetoi.

Ndërsa të gjithë shihnin një kryeprokuror të veshur me pushtetin absolut të perandorisë më të madhe të kohës, Jezusi e pa këtë njeri dhe perandorinë që përfaqësonte në rrezik.

Pilati ishte i veshur me të vërtetën e pushtetit, por ishte i zhveshur nga pushteti i së vërtetës.

Ky ishte realiteti i Romës.

Një arketip që ka shoqëruar njerëzit e çdo qytetërimi, e që është i prekshëm në ditët tona.

Jetojmë në kohën ku shumica s’është e interesuar për pushtetin e së vërtetës, por për të vërtetën e pushtetit, suksesin dhe një jetë komode.

Kumti i jetës me sukses dhe pushtet ka zëvendësuar çdo kumt tjetër.

Historia tregon që ky realitet mund të funksionojë për një kohë, për disa, por shpejt vjen e nesërmja siç erdhi për Pilatin, Romën, të gjithë…

E vërteta s’i thur lavd kulturës së kohës, s’i përulet pushtetit, e s’mund të njohë kult tjetër veç burimit të saj, Zotit.

Ky është një realitet që kushton gjithnjë, por në fund vjen me shpërblimin e madh të lumturisë së përjetshme.

/Priza.al/

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *