Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka ritheksuar vendosmërinë e PL-së për rikthimin e referendumit në vend.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Meta shkruan se PL në bashkëpunim me Partinë Demokratike dhe grupet e interesit do të bëjë të mundur rivendosjen e kësaj të drejte që populli e votoi në Kushtetutën e 98-ës, por që iu mohua më pas. Më tej, ai shton se në një shtet të kapur dhe me institucione të paralizuara e vetmja rrugë që të vendoset llogaridhënia është referendumi.
“22 Nëntori i vitit 1998, dita kur përmes Referendumit populli shqiptar votoi për Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë meriton një nderim të veçantë. Kjo është një nga ngjarjet më pozitive për demokracinë në vend, mirëpo prej 24 vitesh popullit shqiptar i është mohuar e drejta për t’u shprehur me anë të Referendumit.
Në bashkëpunim me Partinë Demokratike, me të gjithë forcat e tjera opozitare, me shoqërinë civile dhe grupet e interesit ne do të bëjmë të mundur që popullit shqiptar t’i rikthehet kjo e drejtë, të cilën ja garanton vetë Kushtetuta, që populli e votoi 24 vjet më parë. Në një shtet të kapur dhe me institucione të paralizuara, e vetmja rrugë për rivendosjen e llogaridhënies është Referendumi”, tha Meta.