E vranë dhe e hodhën në rezervuar Drita Saliajn, burg përjetë për Ervis Zotajn. Dënohen edhe dy minorenët, njëri nga autorët nipi i burrit të saj

Vrasja dhe më pas hedhja në rezervuar e trupit të Drita Saliaj, në fshatin Gjerbës të Mallakastrës, ka çuar gjykatën në konkluzionin e shpalljes fajtor dhe dënimin e tre personave të arrestuar për këtë ngjarje.

Vendimi është marrë nga gjykata e Fierit, e cila ka pranuar kërkesën e prokurorisë, duke dënuar me burgim të përjetshëm, Ervis Zotaj dhe me nga 17 dhe 14 vite burgim dy personat e mitur S.Shehaj dhe L.Saliaj.

Krimi fillimisht është treguar në policinë e Mallakastrës nga 16-vjecari L.Saliaj, nga ku më pas është bërë arrestimi i dy personave të tjerë, të cilët treguan vendin se ku e kishin hedhur trupin e pajetë të Drita Saliaj.

Sipas dinamikës së ngjarjes, viktima Drita Saliaj, i ka pritur në banesën e saj tre autorët, ku njërin prej tyre L.Saliaj e kishte nipin e burrit.

Tre autorët dhe viktima kanë ngrënë bukë së bashku, pasi në tavolinë, janë gjetur nga policia 4 pjata me ushqim dhe një gotë ujë.

E gjithë ngjarja është zbardhur në orët e mbrëmjes së 6 janarit 2020, kur në ambientet e komisariatit Mallakastër janë paraqitur, shtetasja M.Saliaj, së bashku me djalin e saj L.Saliaj 16-vjeç, të dy me banim në fshatin, Gjerbës Mallakastër.

Nënë e bir, kanë denoncuar zhdukjen e të afërmes së tyre, Drita Saliaj, gruaja e xhaxhait të 16-vjeçarit.

Sipas rrëfimit të nënë e bir në polici, Drita Saliaj, jetonte e vetme, pasi të shoqin dhe fëmijët i kishte jashtë shtetit në emigracion dhe për këtë zhdukje, akuzonin, Ervis Zotaj nga fshati Gjerbës dhe S.Shehaj nga fshati Çerrile.
Vetë L.Saliaj ka treguar para policëve detaje nga ky krim i rëndë, detaje që më pas kanë ndryshuar pozicion e tij në këtë çështje, ku nga dëshmitar ai është marrë në përgjegjësi penale, pasi rezulton të ketë bashkëpunuar me dy autorët e tjerë.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *