Një person ka humbur jetën sot në Lushnjë. Ai është 58-vjeçari Albert Taullau. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:35, në lagjen “Loni Dhamo” të qytetit, ku 58-vjeçari dyshohet se ka rënë nga kati i tretë i shtëpisë ku banonte.
Albert Taullau është vëllai i Saimir Taullaut, biznesmenit nga Lushnja të cilit i është bërë atentat në Tetor 2018, dhe që mundi t’i shpëtonte.
Njoftimi i Policisë:
“Lushnjë/ Informacion paraprak
Sot rreth orës 10:35, në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, shtetasi A. T., 58 vjeç, dyshohet se ka rënë nga kati i tretë i banesës ku banonte dhe ka ndërruar jetë.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”.
Kush është Saimir Taullau, armiku i Aldo Bares
Saimir Taullau është njeri shumë i afërt me Laert Haxhiun, kundërshtarin e betuar të nipit të Aldo Bares. Familja Taullai njihet si rivale e fortë e Aldo Bares. Në vitin 2005, vëllai i Berti dhe Saimir Taullaut, Baki Taullau u vra, ndërkohë që Saimiri, vëllai i tij, ishte dëshmitar në gjyq, ku ka dëshmuar dhe ka akuzuar si autorë të vrasjes, pjesëtarët e këtij grupi me urdhër të Bares.
Konflikti ka nisur në vitin 1997, kur banda e Aldo Bares rriti influencën në Lushnjë. Familja Taullau kishte në pronësi një pikë karburanti dhe disa biznese.
Aldo Bare dhe Taullau shpesh herë përplaseshin në Itali për trafikun e drogës. Nga ky moment, banda nisi të vendosë gjoba për familjen, duke përfunduar në vrasjen e Baki Taullaut.
/Priza.al