Katër persona të konsideruar nga e policisë si vrasës me pagesë janë arrestuar, pasi kanë lidhje me ekzekutimin e 66-vjeçarit Behar Sofia, mëngjesin e 25 shkurtit në qendër të Tiranës.
Rolin e ekzekutorit në këtë ngjarje e ka pasur 24-vjeçari Ernejt Shyti. I riu nga Tirana, menjëherë pas ngjarjes është larguar në drejtim të Malit të Zi, ku edhe u vu në pranga në një operacion të koordinuar me autoritetet vendase.
Ai nuk ka precedentë penalë në të kaluarën, dhe pas marrjes në pyetje ka zbuluar edhe bashkëpunëtorët në krim.
I riu ka deklaruar në polici se pas krimit është larguar me biçikletë, dhe se armën e krimit tip pistoletë TT e ka hedhur në lumin Lana. Forcat RENEA ndodhen në vendngjarje, ku disa prej tyre, përfshirë edhe polumbarë po kërkojnë për armën me të cilën u ekzekutua biznesmeni Behar Sofia.
Shyti ndodhet në vendin e ngjarjes, për të treguar se si ka vepruar për vrasjen e biznesmenit. Ai ka thënë se e ka hedhur në Lumin e Lanës armën e krimit, dhe për këtë arsye forcat e RENEA-s po kryejnë kërkime.