Prej 6 ditësh një nënë e dy fëmijëve të mitur rezulton e zhdukur në Durrës, ndërkohë që familjarët japin alarmin se ajo është rrëmbyer. Ilirjan Cauli, vëllai i Aureta Caulit, të resë nga Durrësi e cila rezulton e zhdukur ka zbuluar detaje të reja në lidhje me zhdukjen e motrës së tij.
Cauli bën me dije se e motra, e cila është dhe nënë e dy fëmijëve, ishte nisur ditën e hënë për në Pogradec, pasi kishte aty gjyqin e divorcit. Ndërkohë që ajo i ka dërguar ditën e enjte, 2 foto në whatsapp, ku shihet teksa merr mjekim në ambientet e një spitali.
Ilirjani deklaron gjithashtu se ditën e sotme Aureta kishte marrë në telefon kushërirën e saj dhe i kishte deklaruar se po mbahej peng nga 4 persona dhe se dëshironte të shihte fëmijët për herë të fundit.
“Nga dita e hënë kemi humbur kontaktet me motrën. Ishte nisur për në Pogradec se kishte procesin e divorcit, kështu na tha.
Që atë ditë nuk kemi pasur më kontakte me të. Ditën e mërkurë kam bërë denoncim në Stacionin e Policisë në zonën e Plazhit për humbjen e motrës. Ditën e enjte motra më dërgon 2 foto në whatsapp, që ishte në spital duke marrë serum vetë dhe pastaj i fiket telefoni. Vete në polici për të çuar ato foto që mund ta zbulonin ça spitali ishte, por përgjigja e punonjësve të policisë më la për të dëshiruar.
S’kemi ç’e duam foton, do pyesim spitalet me këtë emër dhe të themi, kur nëpër urgjenca s’të kërkojnë ndonjë mjet identifikimi për të marrë serum dhe ata mund ta kenë regjistruar me emër tjetër.
Sot nga ora 10 kishte marrë një kushërirë në telefon, i kishte thënë që më kanë marrë 4 veta dhe vetëm të shoh pak fëmijët për herë të fundit, se s’jam mirë. Vete përsëri në komisariat tani dhe asnjë lajm prej tyre, kur shumë mirë ata mund ta gjejnë nga tabulatet telefonike nga merr në telefon”, deklaron i vëllai.
Ndërkaq, mësohet se policia ka kontaktuar me Urgjencën Kombëtare për të bërë të mundur lokalizimin e spitalit ku ka qenë e shtruar e reja. Po ashtu, mësohet se policia ka ushtruar kontrolle në banesën edhe të ish-bashkëshortit të Arietës, i cili ka pohuar se nuk kishte lidhje me zhdukjen e saj. Ndër të tjera thuhet se policia ka shkuar sot edhe në Gjykatën e Pogradecit ku ishte seanca e radhës gjyqësore për divorcin e çiftit, ndërsa nuk u gjet asnjë gjurmë nga nëna e 2 fëmijëve.
/Burimi: BW/