“Tani është në duar të negociatorëve kryesorë të ecin përpara dhe të fillojnë të hartojnë një statut funksional. Presim që ata në dy javët e ardhshme të takohen dhe që përsëri të bisedojë për këtë proces”, ka deklaruar zëvendësi i Sekretarit të Shtetit amerikan dhe përfaqësuesi special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Zyrtari amerikan përkujtoi për marrëveshjen e arritur së fundmi ligjërisht të detyrueshme për normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Diskutuam për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Dhe zbatimi fillon me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky ishte me të vërtetë një fokus intensiv diskutimi në kontekstin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Elementët e rëndësishëm janë diskutuar dhe tani i takon kryenegociatorëve të ecin përpara dhe të fillojnë të hartojnë një statut të zbatueshëm. Ne presim që në dy javët e ardhshme negociatorët kryesorë të takohen dhe të diskutojnë përsëri këtë proces”, ka thënë Escobar,
“Ka kaluar vetëm një muaj dhe tani po diskutojmë zbatimin. Pra, kjo, do të thosha, është një nga herët e para që kemi dëgjuar drejtpërdrejt nga Qeveria e Kosovës se cili është versioni i tyre për Asociacionin – edhe ata e kanë këtë, dhe Serbia, ka versionin e saj. Zgjidhja tani është që të dyja palët të takohen në dy javët e ardhshme për të paraqitur përmirësime të mëtejshme në pozicionet e tyre dhe që Bashkimi Evropian të vazhdojë të përdorë levën e tij mbresëlënëse dhe kapacitetin e tij mbresëlënës për të bashkuar të dyja palët dhe për të filluar kërkimin e zgjidhjeve kompromisi”, ka thënë ai.
Escobar ka theksuar se procesi është shumë i rëndësishëm dhe se është shumë e rëndësishme që të dy palët ta marrin seriozisht.
“Dhe të fillojnë në një mënyrë të përshpejtuar ta bëjnë këtë, që kjo të dakordohet midis dy palëve, që këtë ta paraqesin për rishikim parlamentar dhe rishikim ligjor për të siguruar që kjo çështje është e pakthyeshme dhe se është pjesë qendrore e normalizimit”, ka thënë ai.
“Përveç kësaj, kemi dashur të diskutojmë disa nga kushtet e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve pakicë në Kosovë dhe pushtetit qendror e që ishte një diskutim i rëndësishëm”, ka shtuar Escobar.