Propozimet e paketës të re fiskale 2022 po detyrojnë përpunuesit të qumështit të nisin shqyrtimin e kontratave për blerjen e qumështit nga Gjermania dhe vendet e tjera të Europës.
Pak ditë më parë Ministria e Financave dhe Ekonomisë propozoi ndryshimet fiskale në ligjin për TVSH-në, akcizat dhe taksat kombëtare që prekin direkt prodhuesit vendase.
Heqja e TVSh-së të rimbursueshme nga 6% që është aktualisht u prit me shqetësim nga përpunuesit e qumështit. Kryetari i Shoqatës të Përpunuesve të Qumështit, Luis Ndreka tha për Monitor se nëse ndryshimet e propozuara miratohen jo vetëm që do të rriten çmimet e produkteve të bulmetit 25%, por kompanitë do t’i drejtohen tregut europian për blerje të qumështit.
“Lëndët e para për fermerët janë rritur. Heqja e TVSH-së bën diferencë për sektorin dhe do të jemi të detyruar që këtë ngarkesë ta transferojmë te konsumatori. Rritja e çmimeve të paktën deri 25% pritet të ndikojë te rënia e kërkesës, pasi konsumatorët do t’u drejtohen produkteve të importit. “Nuk dëshirojmë të rrisim çmimet dhe të ulet konsumi, por jemi të detyruar t’i ndryshojmë çmimet nëse propozimet miratohen, sepse duhet të mbijetojmë. Dhe me situatën e rritjes të çmimeve industria mund ta shtyjë disa muaj, derisa sa qumështi apo produktet e bulmetit të zëvendësohen me ato të importit dhe kryesisht të rajonit.
Ne do të detyrohemi të marrim qumësht nga importi. Aktualisht kompania “Lufra” është duke shqyrtuar kontratat për blerje të qumështit në Gjermani, Austri, Bullgari etj, ku çmimi pavarësisht rritjes të kostove nga transporti dhe detyrimeve doganore del më lirë sesa kostoja e qumështit të prodhuar nga fermeri shqiptar. Çmimi i qumështit nga fermat jashtë aktualisht shitet 32 cent/litri, kurse tek ne është 45 cent/litri.
Rendimenti mesatar i qumështit të prodhuar për krerë është 18 deri në 22 litra. Ndërsa jashtë një lopë prodhon 35-40 litra qumësht në ditë”, nënvizon z. Ndreka.
Edhe drejtuesi i Qendrës të Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi më herët kundërshtoi heqjen e TVSh-së 6% të rimbursuar, pasi rrit kostot e fermerëve. Në relacion qeveria parashikonte se skema e TVSH-së do të zëvendësohet me skema subvencionuese, por nde deri tani nuk ka skema të reja të prezantuara.
Para vitit 2018 TVSH-ja për blerjen e qumështit nga fermeri kreditohej 20% nga shteti. Me ndryshimet e 1 janarit 2019, skema e TVSh-së subvencionon vetëm 6% në blerje, por kjo konsiderohet e pamjaftueshme nga industrialistët, pasi u ka shtuar kostot. Industria aktualisht po vuan edhe rritjen e çmimeve të plastikës, karburantit në tregjet ndërkombëtare dhe të energjisë nga furnizuesit privatë.
/Burimi: Monitor/