Biznesmeni Bedri Rexhepi u zhduk pasditen e 8 prillit të një viti më parë. Ai doli nga banesa e tij në Prishtinë dhe që prej asaj dite nuk dihet se çfarë mund të ketë ndodhur me të.
Së fundmi detaje të reja janë zbardhur mbi rastin.
Prokuroria themelore në Prishtinë përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se në vazhdën e hetimeve për rastin e zhdukjes së biznesmenit Bedri Rexhepi janë siguruar prova shtesë. Bëhet fjalë për disa eshtra që janë gjetur. Sipas Prokurorisë gjatë verifikimit të terrenit në një zonë kodrinoro-malore në Novobërdë, kanë hasur në mbetje mortore të dekompozuara që dyshohet se janë të trupit të biznesmenit Bedri Rexhepi.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinion publik se në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, konkretisht Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë dhe institucionet e tjera relevante, në vazhdën e hetimeve, janë siguruar prova shtesë lidhur me rastin e “Rrëmbimit” të B.R., me ç’ rast është planifikuar që veprimet hetimore të bëhen edhe në terren me qëllim të identifikimit të lokacionit për gjetjen e personit në fjalë. Gjatë ditës së sotme, prokurori i rastit së bashku me njësitë policore përgjegjëse, Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë dalë në një zonë kodrinore-malore të Novobërdës dhe gjatë verifikimit të terrenit është arritur të identifikohet një lokacion i dyshimtë me të cilën pas gjurmimit nga njësitë përgjegjëse janë gjetur mbetje mortore (të dekompozuara), të cilat dyshohen se kanë të bëjnë me rastin e “Rrëmbimit” dhe të njëjtat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të konstatuar identitetin e këtyre mbetjeve mortore. Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore, andaj lidhur me zhvillimet e tjera rreth këtij rasti do t’iu mbajmë të informuar.
Biznesmeni Bedri Rexhepi u zhduk pasditen e 8 prillit të një viti më parë. Ai doli nga banesa e tij në Prishtinë dhe që prej asaj dite nuk dihet se çfarë mund të ketë ndodhur me të. Në burg për këtë rast është Arjeta Rukovci, e cila dyshohet se ka ndihmuar në nxjerrje në pritë të Rexhepit, për ta çuar atë në duart e personave që donin ta rrëmbenin.