Gjykata e Tiranës ka caktuar trupën gjykuese që do të shqyrtojë çështjen ndaj ish-efektivit Nevaldo Hajdaraj, i akuzuar për vrasjen e Klodian Rashës. Seanca e çështjes do të zhvillohet më 29 prill në orën 12:30, me kryesuese gjyqtaren Armela Hasantari.
Gjykata pritet të vendosë mbi kërkesën e Hajdarajt që procesi ndaj tij zhvillohet me gjykim të shkurtuar. Hajdaraj ka kërkuar edhe ndryshim të akuzës, nga ajo e vrasjes me dashje, në vrasje në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme. Prokuroria ka dalë në përfundimin se Nevaldo Hajdaraj e ka kryer krimin me dashje dhe për këtë ndaj tij është ngritur akuza e vrasjes me dashje.
I riu u vra në orët e para të 8 dhjetorit nga efektivi i ‘Shqiponjave’, Nevaldo Hajdaraj. Ky i fundit shte duke patrulluar në Laprakë, kur ka pikasur të riun i cili ishte duke lëvizur përtej afatit të lejuar nga autoritetet. I riu nuk ka pranuar që të ndalojë në moment që patrulla i ka kërkuar të ndalojë për verifikim dhe sipas dëshmisë së policit është larguar dhe i riu ka vrapuar. Polici e ka ndjekur të riun, derisa ky i fundit sipas policit, i ka nxjerrë armën. Në këtë moment polici e ka qëlluar duke e plagosur me dy plumba, një në kokë dhe një në shpatull nga mbrapa. Klodian Rasha ka ndërruar jetë në spital ndërsa familja mohoi ekzistencën e një arme në dorën e tij.