Institucionet që nënshkruajnë kontrata me operatorë të caktuar ekonomikë pas përfundimit të procedurave të prokurimit duhet të hartojnë planin e zbatimit të kontratës. Një udhëzim i publikuar në fillim të shtatorit i njihte autoritetet me elementët kyç që duhet të kishte ky plan ndërkohë në një njoftim të fundit të datës 20 shtator APP ka nënvizuar nevojën për këto plane.
Përgjatë këtij viti si nga ana e qeverisë janë nxjerrë disa vendime që janë në plotësim të ligjit të ri të prokurimeve publike ndërkohë që nga ana e Agjencisë janë bërë plotësime me udhëzimet respektive.
“Agjencia e Prokurimit Publik (ne vijim “APP”), në ushtrim të kompetencave të saj sipas parashikimeve të nenit 124, të Ligjit Nr. 162/2020, date 23.12.2020 “Për Prokurimin Publik” dhe pikës 4, 8, te nenit 107, të Vendimit të Këshillit te Ministrave Nr. 285, date 19.05.2021 “Për Miratimin e Rregullave të Prokurimit Publik”, ju bën me dije se, ka publikuar në faqen zyrtare të APP, Udhëzimin Nr. 08, date 01.09.2021 “Mbi hartimin e planit të zbatimit të kontratës” dhe “Formularin standard të planit te zbatimit te kontratës”, të cilat mund të aksesohen nëpërmjet linkut: http://www.app.gov .al/legjislacioni/prokurimi-publik/udhëzime/.
Ky udhëzim u vjen në ndihmë autoriteteve kontraktore për hartimin e planit të zbatimit të kontratës si dhe për të lehtësuar administrimin e dokumentacionit me qëllim sigurimin e eficensës gjatë zbatimit të kontratës.
Autoritetet/entet kontraktore pasi nënshkruajnë kontratën me operatorin/ret ekonomik/e fitues, në përfundim të procedurës së prokurimit për pune/mallra ose shërbime, hartojnë planin e zbatimit të kontratës në respektim të parashikimeve ligjore të LPP-se dhe legjislacionit përkatës, në fuqi. Plani i zbatimit të kontratës, përfshin në veçanti çështjet organizative, afatet e përcaktuara, çështjet ekonomike, kushtet specifike teknike, personin/personat përgjegjës për ndjekjen e zbatimit të kontratës, si dhe çdo çështje dhe informacion tjetër në përputhje më kushtet kontraktuale dhe legjislacionin në fuqi.
Gjithashtu, APP sjell në vëmendje të autoriteteve/enteve kontraktore se, në çdo rast, planin e zbatimit të kontratës, të hartuar sipas udhëzimit të sipërcituar, mund ta dërgojnë edhe në rrugë elektronike” thuhet në njoftimin e APP.