Eurozona jep shenja pozitive rimëkëmbjeje pas vështirësive që shkaktuan krizat e njëpasnjëshme, më e fundit lufta në Ukrainë dhe më parë pandemia e koronavirusit. Komisioneri i Bashkimit Europian për Ekonominë Paolo Xhentiloni pret që në vazhdim të këtij viti të ketë përmirësime të niveleve të inflacionit dhe rritjes ekonomike.
Paolo Gentiloni, Komisioneri i BE për Ekonominë tha: “Inflacioni e arriti kuotën maksimale dhe pritet të ulet më tej, veçanërisht falë rënies së çmimit të energjisë.”
Këtë vit, Komsioni Europian parashikon që në 20 vendet anëtare të Eurozonës, rritja ekonomike të jetë 0.9%, 0.6 pikë më e lartë se parashikimi i mëhershëm i Nëntorit të kaluar. Sipas ekspertëve, gjithçka ka lidhje me mbushjen e rezervave energjitike, kryesisht të gazit natyror, të cilat u plotësuan nga kontraktorë të tjerë që mbushën boshllëqet e lëna nga ndërprerja e furnizimit me gazin rus.
Pritet stabilizimi i çmimeve të gazit, naftës e nënprodukteve të saj, të çojë drejt stabilizimit edhe të çmimeve të përgjithshme, përfshirë ushqimet.