Komisioni për Ekonominë dhe Financat është zhvilluar ditën e sotme për projektligjin “për Buxhetin e vitit 2023”.
Gjatë fjalës së tij në Komision, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se prioritet duhet të jetë marrja e masave për garantimin e stabilitetit ekonomik, ndërsa shtoi se Banka e Shqipërisë rriti gradualisht normën bazë të interesit.
Më tej, Sejko theksoi se duhet të rishikohet projektligji në tatimin për të ardhurat.
“Zgjerimi dhe forcimi i presioni inflacioniste përbën rrezikun kryesor financiar të vendit. Rritja e ekonomisë pritet të mbështet nga kërkesa e brendshme për mallra dhe shërbime, nga vijimi i trendit rritës të të ardhurave nga turizmi. Nisur nga rëndësia që ka konsolidimi fiskal, Banka e Shqipërisë konstaton se konsolidimi i 2023 bazohet në rritjen e moderuar të peshës së shpenzimeve për personelin, alokimin e fondeve shtesë, reduktimin e subvencioneve për sektorin e energjisë”, tha Sejko.