Ministria e Financave zhvilloi këtë javë një rihapje të ankandit të obligacioneve 10-vjeçare të muajit korrik. Në ankand ishte planifikuar huamarrje totale për një shumë prej 4 miliardë lekësh. Por, njëlloj siç kishte vepruar edhe në korrik, Ministria e Financave vendosi të rrisë shumën e siguruar në ankand.
Mbështetur në informacionin zyrtar të publikuar, shuma totale e obligacionit të emetuar arriti në rreth 4.47 miliardë lekë, ndërsa vlera totale e kërkesave të paraqitura në ankand arriti në 5.17 miliardë lekë. Yield-i uniform i pranuar rezultoi në nivelin 5.2%, me një rritje të lehtë nga niveli prej 5% i obligacionit të emetuar në muajin korrik.
Ministria e Financave e ka rritur shumën e huamarrjes, qoftë edhe me koston e një yield-i pak më të lartë. Në vitet e fundit, ka një strategji të qartë për të zgjatur maturitetin mesatar të borxhit, duke përdorur më shumë instrumentet afatgjata të huamarrjes.
Kjo bëhet për të ulur rrezikun e rifinancimit, për të ndërtuar një strukturë më të ekuilibruar të maturitetit të borxhit, por edhe për të përfituar nga epoka e normave të ulëta të interesit. Një yield fiks 5.2% është sërish një çmim i kënaqshëm për emetuesin, duke pasur parasysh afatin shumë të gjatë të maturimit. Me kalimin gradual të krizës së pandemisë, është e pritshme që presionet inflacioniste të rriten dhe politikat monetare t’i kthehen normalizimit.
Në fakt, vala e papritur e rritjes së çmimeve në muajt e fundit ka rritur gjasat që normalizimi i politikës monetare mund nisë më shpejt nga sa parashikohej. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, pohoi pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës javën e kaluar që, nëse rritja e çmimeve do të provohet e qëndrueshme dhe do të jetë më e lartë se pritjet aktuale, mund të sjellë një shtrëngim gradual të politikës monetare gjatë tremujorëve në vazhdim.
Për momentin, autoritetet monetare i qëndrojnë idesë se kjo valë inflacioniste do të jetë kalimtare, megjithatë është e qartë se ajo i ka rritur shqetësimet se rritja e normave të interesit mund të afrohet në kohë, duke kërcënuar rimëkëmbjen ende të brishtë ekonomike.
Megjithatë, deri tani, tregu financiar shqiptar nuk po shfaq ndonjë shenjë shqetësimi të dukshëm. Yield-et e titujve qeveritarë ngelen të qëndrueshme, njëlloj si normat e interesit të financimit të sektorit privat. Tregu i brendshëm financiar ngelet mjaft likuid dhe javën e kaluar Banka e Shqipërisë vendosi të zgjasë edhe me një tremujor formën e zhvillimit të ankandeve të REPO-ve, që iu siguron bankave akses të pakufizuar në likuiditet.
Një rritje e normave të interesit mund t’i kapë të papërgatitur të gjithë aktorët ekonomikë, që nuk e prisnin një zhvillim të tillë brenda një horizonti afatshkurtër. Për këtë arsye, autoritetet monetare po përpiqen të lëvizin me kujdes dhe pa shfaqur panik përballë valës së papritur të rritjes së çmimeve, duke marrë më shumë kohë për të reaguar.
/Burimi: MONITOR/