Në Komisionin e Ekonomisë, ka pasur diskutime lidhur me deficitin dhe borxhin e parashikuar në projektligjin “për buxhetin e vitit 2023”.
Deputeti i PS, Erion Braçe vijon të jetë ndër më kritikët përsa i përket buxhetit, ndërkohë që ka pasur dhe një përplasje mes deputetes Jorida Tabaku dhe ministres së Financave, Delina Ibrahimaj.
Gjatë fjalës së saj në teksa ishte duke raportuar, Tabaku ka ndërprerë fjalën duke i tërhequr vëmendjen Ibrahimajt për të qeshurën në komision.
“Nuk ka asgjë për të qeshur zonja ministre, po unë po ju shoh se këtu përballë jemi. Nëse ju bën për të qeshur fakti se nga 1.9 % është 3.3% e produktit të brendshëm bruto, pagesat e interesit janë sa fondi i arsimit, më duket papërgjegjshmëri”, u shpreh Tabaku pasi ministrja ishte duke qeshur.
Më pas Ibrahimaj u përgjigj: “Unë po ju dëgjoj me vëmendje”.
Pas ministres foli edhe kryetari i komisionit Eduard Shalsi.
“Nuk mu duk se po qeshte, po për të gjithë kërkoj që të ruani etikën. Dhe un mund të bëj provokime por nuk besoj se i vlen debatit”, tha ai.
Ndërkohë Braçe ka kërkuar sqarime për nivelin e borxhit publik.
“E dëgjova unë gabim apo deficiti buxhetor vjen në ulje në këtë vit? Sa është dhe sa është ulja? E dëgjova unë gabim apo borxhi është me ulje? Dëgjova sikur thatë se kemi likuiditet, sa kemi për këtë vit dhe për vitin e ardhshëm. Po ngrihet shqetësimi mes kompanive energjitike, detyrimet kontabilizohen në buxhet apo janë detyrime mes kompanive që i nënshtrohen ligjit? Ose më qartë, këto kompani i kanë detyrime buxhetit të shtetit dhe a janë detyrime që janë brenda apo jashtë detyrimeve që kompanitë i kanë njëra tjetrës”, tha Braçe.