EKSKLUZIVE-INVESTIGIM II/ Zbulohet si “Fondi Besa” ngriti skemën mashtruese ndaj qytetarëve

Shumë individë në Shqipëri që për një arsye apo një tjetër janë bërë klientë të bankave private me një llogari page, depozitë, apo kredi, duhet të bëjnë shumë kujdes.

Edhe pse je klient i një banke private, në Shqipëri mund të përfundosh si klient në një bankë tjetër, apo në një institucion mikrokredie, i cili merr nga banka të dhënat e tua.

Dje në “Priza.al” botuam denoncimin e tre djemve nga Laçi i Vaut të Dejës në Shkodër që pasi kishin hapur nga një llogari të thjeshtë page në degët e “BKT-së” apo “Credins-it” në këtë bashki, kishin përfunduar si klientë të “Fondit Besa”.

Por dëshmia e tre djemve nuk ishte e vetmja për “Priza.al”, pasi sistemi i ngatërrimit dhe i trafikimit të të dhënave që mbrohen me ligj, ka qenë më i thellë se kaq.

Në materialet dhe dëshmitë e grumbulluara nga viktimat e kësaj skeme mashtrimi të rafinuar, “Priza.al” sapo ka nisur që të zbulojë një skemë të gjatë pastrimi parash dhe përfitimi, në kurriz të qytetarëve të thjeshtë dhe te painformuar.

Por ajo që është më e frikshme në gjithë këtë histori, është fakti se klientët e bankave private janë krejtësisht të zbuluar dhe të pambrojtur, si dhe në mëshirë të disa oficerëve të kredive apo drejtues degësh banke, që administrojnë apo trafikojnë të dhënat e tyre.

Edhe pse shteti ka një kuadër të gjerë ligjor që i mbron të dhënat personale, dhe po ashtu dhe një mori rregulloresh dhe kodesh që kanë si garant Bankën e Shqipërisë, Agjencitë e ndryshme shtetërore dhe shoqatat, përsëri shumë qytetarë janë viktimizuar pa dëshirën dhe vullnetin e tyre dhe tani jeta e tyre ka marrë një tjetër rrjedhë.

 Investigimi mbi skemën mashtruese

Sot “Priza.al” ka marrë kontakte dhe informacione me disa ekspertë të sektorit bankar, me avokatë, hetues privat, por edhe me punonjës bankash private.

Nga hulumtimi dhe mbledhja e të dhënave dhe dëshmive, jemi vënë përballë një fakti tronditës prej nga ku kemi zbuluar një skemë të madhe mashtrimi dhe përfitimi mes punonjësve të disa bankave private dhe atyre të “Fondit Besa”.

Ky i fundit me anë të përvetësimit të të dhënave personale të klientëve të ndryshëm në degëve të bankave private, me anë të sekserëve mashtrues, por edhe punonjësve të tij, ka bërë që shumë individë të figurojnë si klientë “kredimarrës” të Fondit.

Por ajo që është edhe më shqetësuese për cilin do individ që ka marrëdhënie pune me një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, është fakti se qytetarë të shumtë jo vetëm që janë gjendur viktima të skemave mashtruese, por institucionet e shtetit nuk kanë nisur aspak një punë serioze për të hetuar dhe goditur fenomenin.

Nga ana jonë është marrë kontakt jo vetëm me viktimat e këtij fenomeni, por edhe me drejtoritë e bankave private, prej nga ku është kërkuar informacion mbi këtë fenomen.

Por nga bankat e nivelit të dytë, ende nuk kemi marrë përgjigje zyrtare në lidhje me klientët, të cilëve u janë tjetërsuar apo trafikuar të dhënat.

Por nga punonjës bankash private, të cilët na kërkuan në mënyrë absolute ruajtjen e anonimatit dhe konfidencialitetit, kemi mundur që të zbardhim një pjesë të kësaj skeme mashtruese, mbi klientët e pambrojtur të bankave.

Kur nga një klient banke përfundon në klient në “Fondin Besa”

“Fondi Besa” dhe disa institucione të tjera mikrokredie, të cilat janë licencuar vitet e fundit nga Banka e Shqipërisë, janë përfshirë në një skemë të çuditshme (në pamje të parë) mashtrimi.

Edhe pse Banka e Shqipërisë rregulloi vetëm vitet e fundit kuadrin ligjor për mbikëqyrjen e institucioneve të mikrokredive, duket se trafikimi i të dhënave dhe klientëve në sistemin bankar i ka “shpëtuar”.

Në pamje të parë, edhe sikur të mos jenë të përfshirë direkt titullarët, pronarët apo aksionerët e “Fondit Besa” dhe bankave private në skemën e mashtrimit, minimalisht, është detyrë e strukturave të brendshme të tyre që të hetojnë mbi këto skema.

Vetëm dje “Priza.al” denoncoi dëshmitë e tre djemve nga Laçi i Vaut të Dejës që kishin rënë viktima të shtetasit Ledio Vrapi, nga Tirana, duke bashkëpunuar me të për hapjen e disa llogarive bankare.

Pas kësaj ata e kishin gjendur veten si klientë (pa dëshirë dhe dijeni) në “Fondin Besa”, madje edhe si dorëzanës apo garant të pasurive të patundshme, firmat e të cilëve ishin depozituar edhe në akte noteriale, në noterë të njohur në Tiranë.

Burimet konfidenciale i thanë “Priza.al” se, “mes ‘Fondit Besa’ dhe degëve të shumë bankave private, është ngritur një rrjet i tërë sekserësh, bashkëpunëtorësh dhe përfituesish që sigurojnë shuma të mëdha parash nga kurthi që u ngrenë qytetarëve të ndryshëm”.

Mjafton vetëm një firmë e hedhur diku në një tryezë banke për hapjen e një llogarie page, apo dhënia e një fotokopjeje të kartës së identitetit, apo certifikate familjare dhe qytetarë të ndryshëm dalin klientë, debitorë, apo kredimarrës në institucionet financiare të mikrokredive.

Por sipas burimeve të “Priza.al” në “Fondin Besa”, kjo praktikë është bëra tashmë e “zakonshme” për të mbajtur në këmbë gjithë funksionimin e fondacionit dhe skemën e qarkullimit të parave.

Të njëjtat burime thënë për “Priza.al” se, disa herë në “Fondin Besa” kanë shpërthyer skandale të tilla, por gjithmonë janë mbyllur falë pagesave që bëhen në të gjitha anët, nga drejtuesit dhe aksionerët e Fondacionit.

“Priza.al” është në përpunimin e të dhënave, dokumenteve dhe emrave, mbi këtë skemë mashtrimi që kap shifra të frikshme parash, në shumë milionë. Nesër do të botojmë vijimin e këtij investigimi dhe skandali financiar, duke sjellë edhe emra dhe fakte që duket se do të tronditin sistemin bankar në vend.

Por qëllimi i “Priza.al” nuk është bërja e panikut dhe dizinformimi, por thjesht nevoja për të denoncuar një skandal që vijon prej vitesh dhe ku viktima janë vetëm qytetarët e thjeshtë dhe të pambrojtur as nga sistemi bankar dhe as nga Shteti Shqiptar. /Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *