EKSKLUZIVE-INVESTIGIM III/ Skandali, ja si ‘Fondi Besa’ zhvati 2500 qytetarë

Dëshmia e tre ditëve më parë e më shumë se 20 personave nga Laçi i Vaut të Dejës në Shkodër, të cilët kishin rënë viktima të një skeme mashtrimi, bëri që “Priza.al” të zbulonte një super-skandal financiar. Bëhet fjalë për trafikimin e të dhënave personale që u merren klientëve të bankave të ndryshme private nga punonjës të degëve të tyre, dhe u shiten sekserëve dhe punonjësve të institucioneve financiare të mikrokredive. Kjo që mund të dukej si një legjendë urbane deri disa kohë më parë, në fakt realizohet ditën për diell, mes punonjësve të institucioneve private, por që me sa duket, ka gjetur dakordësinë edhe të titullarëve më të lartë si të bankave, ashtu dhe të institucioneve të mikrokredive.

Si nisi historia

U desh një dëshmi e gjatë dhe e hollësishme e tre djemve përkatësisht Vullnet Musa, Florjon Gjini dhe Bilhajr Trapi, në redaksinë e “Priza.al” që të viheshim në gjurmët e një superskandali financiar që të përfshirë ka disa prej bankave më të mëdha të sistemit tonë bankar dhe “Fondit Besa”.
Ky i fundit nëpërmjet “klientësh” sekserë të drejtuesve apo punonjësve të tij, bën të mundur përvetësimin e të dhënave personale nga individë të ndryshëm, dhe më pas i ngarkon ata me kredi, që në fakt nuk i kanë marrë aspak personat, emrat e të cilëve figurojnë shpesh nëpër dosjet e degëve.
Por si bëhet kjo? Konkretisht tre të rinjtë që erdhën dhe denoncuan të parët problemin e tyre, konkretisht Vullneti, Florioni dhe Bilhajri, me banim në Laç të Vaut të Dejës në Shkodër, nuk kishin dëgjuar ndonjëherë për fondin besa dhe as u kishte shkuar ndërmend të merrnin ndonjëherë kredi, qoftë edhe minimale.
Ata në kohën kur ishin njohur me shtetasin Ledio V., që dhe i përfshiu në gjithë këtë mesele (bashkë me të paktën edhe 20 shokë të tjerë po nga ky qytet), ishin djem të papunë dhe të pashpresë. Por njohja thuaj se në rrethana “rastësore” me sekserin e “Fondit Besa”, Ledio V., aty fillimisht iu duk si kur u hapi një mënyrë për të përfituar disa para “qyl”, por që kjo ishte vetëm një karrem për t’i futur në kurthin e përvetësimit të të dhënave personale.
Të gjithë viktimat, dy vite pasi kishin hapur nga një llogari page të dega e BKT-së si dhe në degën e “Credins” po në Laç të Vau Dejës, e gjetën vetëm në nëntor të vitit 2020, si “klientë” të “Fondit Besa” jo vetëm me nga një kredi të marrë, por dy prej tyre edhe si dorëzanës apo garantë të vendosjes së nga një prone të patundshme, që nuk ishte aspak e tyre.

Si është e ngritur skema

“Priza.al” këto ditë ka rendur që të marrë kontakte dhe informacione si me punonjës bankash private, por po ashtu dhe me ekspertë të këtij sektori, për të kuptuar këtë skemë të rafinuar mashtrimi që njollos emrat e disa institucioneve financiare nga më të mëdhenjtë në vend.
Nga sa mësuam, punonjës të caktuar bankash, duke nisur nga oficerë të thjeshtë deri tek drejtorët e degëve, bëjnë shpesh ujdi të tilla me punonjës ose shefa të institucioneve të mikrokredive për një përfitim të ndërsjelltë.
Kjo edhe për faktin se shumë ish-punonjës bankash kanë ikur nga bankat e nivelit të dytë për t’u punësuar në institucionet e mikrokredive për shkak të pagave dhe shpërblimeve më joshëse.
Por edhe pse janë larguar nga bankat, rrjeti i njohjeve me ish-kolegët, i përfitimeve dhe të dhënat e klientëve janë transferuar bashkë me ta.
Tek këto të fundit, si në rastin e “Fondit Besa”, burime konfidenciale i kanë thënë “Priza.al” se oficerëve të kredive u kërkohet me ngulm realizimi i objektivave mujore të kredive.
Kjo gjë nënkupton sigurimin e klientëve të rinj, por dhe mbledhjen e detyrimeve nga kreditë e dhëna më parë dhe të papaguara në kohë.
Kjo bën që mes oficerëve të kredive, menaxherëve, shefave të degëve si në banka ashtu dhe në fonde mikrofinancash, por po ashtu dhe mes kompanive private të përmbarimit, të lidhet ngushtësisht një zinxhir i tërë bashkëpunimi që për qëllim ka sigurimin e fitimeve.
Nga dëshmitë por dhe informacionet që kemi grumbulluar, kjo praktikë ka qenë gjerësisht e përsëritur në “Fondin Besa”, ku një pjesë e madhe e klientëve të degëve sidomos në kryeqytet, figurojnë të jenë jo klientë por viktima të përfshira në këtë lojë nga sekserë të jashtëm që kanë përvetësuar të dhënat e tyre personale.

Si merret kredi të “Fondi Besa”

“Fondacioni” ose “Fondi Besa” e ka të ligjëruar dhe të licencuar aktivitetin e tij financiar dhe sidomos atë të mikrokredisë. Deri këtu asgjë nuk përbën shkelje ligji apo probleme.
Qytetarët që duan të aplikojnë për një mikrokredi aty, mjafton të paraqiten në njërën prej degëve të “Fondit” me dokumentet personale (kartë Id, ose certifikatë familjare) dhe pasi njihen me termat dhe afatet e kredisë, pranojnë ta lidhin marrëveshjen ose jo.
“Priza.al” nëpërmjet burimeve konfidenciale brenda Fondit Besa, mësuam se për të marrë një kredi, “klienti pasi paraqitet në njërën prej degëve të Fondit, merr dokumentet që duhen dhe i plotëson më pas me këshillimin e një oficeri kredie”. Ky i fundit merr dokumentet dhe ja referon përgjegjësit të zyrës dhe përgjegjësi i zyrës, drejtorit të degës. Në këtë moment oficeri hedh dosjen në sistemin e Fondit.
Oficeri i kredisë plotëson aplikimin për kredi duke firmosur klienti, garanti i cili duhet të jetë ose pjesëtar i certifikatës familjare, ose ortak biznesi në mënyrë që të ketë risk sa më të ulët.

Dosja e plotësuar dhe e hedhur në sistemin online, kalon te përgjegjësi i cili duke filluar na 1 janari 2021, janë bërë zv.drejtorë dege. Ky i fundit e firmos dosjen dhe e kalon atë te asistentja, për të hedhur kolateralin që do të lihet si garanci, që mund të jenë pajisje biznesi, automjete, prona të patundshme, e gjitha kjo në varësi të shumës që merr klienti. Asistentja hedh kolateralin dhe në këtë moment zv.drejtori firmos autorizimin. Drejtori i degës lidhet me drejtorin rajonal që mbulon disa degë, qoftë në Tiranë qoftë në rrethe dhe fund është ai që e aprovon dhënies e kredisë. Nga momenti i aprovimit, futet sektori i Riskut dhe Financës, që shikojnë nëse është e rregullt apo jo procedura.

Në këtë moment printohet në format “a4” një formular që kjo kredi është aprovuar nga dega në një datë të caktuar. Ky formular që del nga sistemi firmoset nga përgjegjësi para 2021-it dhe tani nga zv.drejtori, drejtori i degës dhe drejtori rajonal, që e ka zyrën në qendër.
Printohen kontratat në 4 kopje ose 5 kopje, kur janë shuma mbi 1.000.000 lekë, i merr kontratat klienti dhe shkojnë te noteri bashkë me garantët dhe i firmosin e i vulosin ato në 3 ose 4 kopje, në varësi të shumës, duke i skanuar dhe bashkangjitur në sistemin online.
Asistentja vazhdon me plotësimin e noterit dhe e kalon procedurën te Departamenti i Riskut përsëri. Ky i fundit në vartësi nga shuma dhe risku, firmos një dokument dhe e çon te Financa, për të bërë transfertën në llogarinë që ka hapur klienti si në rastin te ‘BKT’ pse ‘Credins’, varet ku kemi llogari në gjendje…”.

Sipas të njwjtit burim, “Në janar 2021, Fondi ka hapur një departament të ri i cili verifikon të gjitha kontratat nëse janë të rregullta apo jo, për gabime të ndryshme, firmat e klientëve, Id-të e tyre, apo shumat dhe afatet e kredive”.
Por kjo ishte vetëm procedura zyrtare dhe normale e “Fondit Besa”, pa hyrë në këtë skemë sekserë apo dhe emra drejtuesish të Fondit, që “Priza.al” do ti zbardhë në pjesën e ardhshme./Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *