EKSKLUZIVE- INVESTIGIM VII/ Fakte tronditëse, si kamerieri u bë kredimarrës me 1 mln lekë pa dijeninë e tij te ‘Fondi Besa’

Prej disa ditësh, në vijim të investigimeve tona në lidhje me një skemë mashtrimi të jashtëzakonshme mes “Fondit Besa” dhe disa bankave private të nivelit të dytë, “Priza.al” ka sjellë edhe një audio-përgjim që një i ri i guximshëm nga Tirana ka bërë për të denoncuar këtë skandal.

Djali i ri quhet Nikolin Tregaj dhe punon si kamerier në një prej lokaleve të shumta në zonën e Unazës së Re në kryeqytet.

Sot “Priza.al” ka arritur të mësojë detaje të reja në lidhje me këtë rast, që si shumë qytetarë të thjeshtë kanë zgjedhur të denoncojnë kurthin që atyre u është ngritur në pabesi duke u vjedhur të dhënat personale.

Por i riu Nikolin Tregaj, jo vetëm që ka vendosur që t’i shkojë deri në fund zbardhjes së kësaj skeme mashtrimi ku ai ka rënë viktimë si mijëra qytetarë të tjerë, por edhe ka kërkuar që ta denoncojë rastin edhe në organet ligj-zbatuese.

Nga sa ka mësuar “Priza.al” i riu Tregaj, është paraqitur edhe në një prej komisariateve të kryeqytetit për të bërë një deponim dhe një kallëzim në lidhje me rastin në fjalë.

Ai është paraqitur fillimisht në Rajonin nr. 2 të policisë së kryeqytetit, por ata e kanë nisur për te Drejtoria e Policisë së Tiranës.

Por nga oficerët e policisë në Drejtorinë e Tiranës, ai është këshilluar që ta ndjekë këtë në rrugë private dhe nuk i është marrë për bazë kallëzimi.

Historia

I riu i gjendur pa pritur dhe pa dëshirën e tij “klient” i një prej degëve të “Fondit Besa” në Tiranë, i ka deklaruar “Priza.al” se mendon që të dhënat e tij i janë vjedhur pasi kishte hapur një llogari page në BKT.

Pas marrjes së të dhënave nga “BKT” prej sekserëve të “Fondit Besa”, rezulton se edhe Nikolini, kishte “marrë” një kredi prej 1 milionë lekësh (10 milionë lekë të vjetra).

Kështu rezultojnë letrat që janë gjendur në mënyrë të çuditshme me firmën e tij, si dhe dokumentet e tij të identifikimit, në tryezën e zyrës së noteres Majlinda Demollari.

Kjo e fundit ka gjetur më tej edhe mënyrën për të vënë në dijeni “viktimën” klient të radhës, duke i thënë atij edhe se ku duhet të paraqitet për të nisur “procedurat”.

Por Nikolini, jo vetëm që nuk pranon të bjerë pre e këtij supermashtrimi, por duke përdorur intuitën ka nisur që t’u bëjë një lojë mjaftë të bukur noteres Demollari dhe një prej drejtuesve kryesorë të Fondit në Tiranë, Bledar Ylli.

Me të dy, si me noteren ashtu dhe me drejtorin e “Fondit Besa”, Nikolini ka bërë biseda të kontrolluara dhe të regjistruara, me qëllim zbardhjen e lojës ku ai si shumë të tjerë ka rënë preh.

Biseda mes të riut dhe noteres Demollari, si dhe më herët edhe mes tij dhe një prej drejtorëve të mëdhenj të “Fondit Besa”, Bledar Ylli, nxjerr qartë në pah se si njerëz të painformuar dhe pa qenë në dijeni janë futur në një lojë që një grup njerëzish e kanë bërë dhe kanë ndarë fitime që shkojnë në miliona euro.

Telefonata nr. 1 me noteren Majlinda Demollari

Nikolini: Alo, si kalon?

Noterja: Mirë, faleminderit. Kush je?

Nikolini: Jam një nga çunat që tërhoqëm lekë atëherë.

Noterja: Si e ke emrin?

Nikolini:  A mund të takohemi diku, të llafosemi nga afër? Me emër s’më mban mënd.

Noterja: Ma thuaj, se edhe mund të mbaj mend.

Nikolini: Ku ndodhesh?

Noterja: Tani jam pak larg nga “Treni” me një rob. Ku je ti?

Nikolini: Jam tek ‘Pallati me Shigjeta’

Noterja: Qenke larg. Ma thuaj emrin…

Nikolini: Të nisem për në qendër. Të them kur të jem aty.

Noterja: A je Lorenci?

Nikolini: Jo s’jam Lorenci. A mund të takohemi dhe të pimë kafe?

Nikolini: A të nisem për në qendër, e të marr në telefon?

Noterja: Ku je o vlla?

Nikolini: Jam tek ‘Pallati me Shigjeta’. Të nisem për në qendër

Nikolini: Hajde tek lokali ‘Glouk’ kur ikën për nga ‘Treni’

 

Telefonata nr. 2 (Përgjimi) me noteren Majlinda Demollari

Noterja: “…Si e ka emrin burri jot?

Ai burri jot është mi… Mondi, hë më thuaj, hë çfarë tha? Shumë bukur, mrekulli.. pa merak shumë mirë. Po sa të marrë në telefon. Por për ata miqtë në Sarandë, në rregull i kanë punët? Hë çfarë thanë? Ok, hajde, me letra s’kemi ç’a i bëjmë. Mirë Mondi. Pa merak, unë jam dakord të vijë…

Nikolini: Doja të pyesja për një kontratë që keni bërë ju, doja ta shihja. Të timen.. se kam kontratën.

Noterja: Më jep numrin. Të kujt e kini këtë kontratë?

Nikolini: Nga ‘Fondi BESA’

Noterja: Alo urdhëro, më prit aty tek kafja përballë se erdha.

Nikolini: Çfarë kontrate keni bërë ju zonjë, dhe unë nuk jam fare në dijeni. Këtë e konsumuam mbrëmë…

Noterja: Ju jeni kredimarrës?

Nikolini: E kam marrë pa dijeninë time.

Noterja: Po lekët në bankë, kush i ka tërhequr?

Nikolini: Ku ta di unë?

Noterja: S’ka gjë, do ta gjej unë.

Nikolini: E njëjta gjë më ka ndodhur edhe mua.

Noterja: Edhe ty do ta nxjerr nga arkiva, pa merak fare. Shkojmë tek banka, kush i ka tërhequr lekët…? Është Bledi ai që merret me “Fondin BESA”. Merre numrin.

Noterja: …O goca, Blendi apo Bledi. Si e ka…? Bledari. E keni ju këtë numër? Jepja numrin çunit, Bledar Ylli dhe këtë do ma lësh mua të nxjerr nga arkiva.

Arkiva nuk është këtu zotëri, është në një vend tjetër. Më lër mua të lëviz. Ka një rregull, arkiva më kërkojnë dokument, duhet 10 ditë. Unë po të them maksimumi 3 ditë do ta nxjerr nga arkiva.

Nikolini: Noterizimi pa qenë prezent personi?

Noterja: Atë do ta zgjidhim bashkë, ti mund të pretendosh. Unë mund të pretendoj ndryshe… Ligjërisht duhet të jesh këtu dhe personi bën kontratën, ka firmosur, ka shkuar në bankë, ka marrë mandatet. Ka marrë edhe lekët. I ka marrë të gjitha. Pa merak fare çuna. Për tre ditë do të jap kontratën në dorë. Shko tek Bledi, se ai është shefi i madh që merret me kredi, sepse kemi një kopje secili ne.

 

Biseda mes Nikolin Tergës dhe përfaqsuesit të “Fondit Besa”, Bledar Ylli:

Nikolini: Alo përshëndetje. Me zotin Bledar po flas? Përgjegjës tek “Fondi BESA” apo jo?

Tek “Fondi BESA” është marrë një kredi nga noterja Majlinda Demollari që është noterizuar. Është bërë pa dijeni time…

Bledari: Kush je ti?

Nikolini: Nikolin Tregaj…

Nikolini: Shkova tek noterja dhe më tha ti nxjerr të dhënat për tre ditë dhe iku… mu largua. Më dha numrin tuaj. Si zgjidhet kjo?

Bledari: Kush ta dha numrin tim? Noterja, Majlinda Demollari?

Nikolini: Kredia ishte bërë pa prezencën time. Ishte hedhur firma ime, të dhënat e mia. Pa dijeninë time…

Bledari: Hajde tek zyra tek blloku.

Nikolini: Çfarë vendi?

Bledari: Mbrapa 11 Janarit…

 

Sipas të dhënave rezulton se si “klientë” por pa dijeninë dhe dëshirën e tyre, që kanë marrë kredi në “Fondin Besa” në të gjithë vendin, janë më shumë se 2500 persona.

Po aq rezulton që të jenë edhe individët apo subjektet private që nga të dhënat personale që u janë grabitur dhe tjetërsuar, u janë regjistruar prona të patundshme apo objekte të tjera me vlerë, të vendosura si kolateral (garanci sigurie), për kreditë që “Fondi” ka shpërndarë pa dijeninë e vetë individëve.

Ndërkohë, “Priza.al”, nisur nga ky skandal i përmasave të mëdha, u bënë thirrje edhe një herë organeve të drejtësisë dhe prokurorisë, që të nisin menjëherë hetimet mbi këtë çështje.

Vijon… /Priza.al/

 

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *