Ekskluzive / Ish gjyqtarja Pajtime Fetahu porositi vrasjen e gazetarit Saimir Kodra dhe të një avokati të njohur, krimi do të kryhej nga grupi Çopja

SPAK doli me njoftim zyrtar për megaoperacionin e zhvilluar këtë të hënë. Pas hetimit të SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktoi masat e sigurisë për 21 persona, ku përfshihen anëtarët e organizatës kriminale, një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar në detyrë gjatë kryerjes së aktivitetit kriminal, një avokat dhe dy gazetarë.

Prapaskena sjellë emrat e 21 personave, të cilët janë Marjus Lulaj (alias Suel Çela), Mario Çela, Xhino Roka, Klaus Matishi (alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja), Sergej Hasanpapaj, Bruno Hazizolli, Ledio Zabeli, Marsel Roka, Ado Xhika (alias Elkier Cerriku alias Ado Cerriku), Preke Kodra, Fuad Verzivolli, Metin Mehja, Renato Hasani, Skender Sufaj, Pajtime Fetah, Dedan Gjoni, Marsel Shega (alias Bujar Shega), Hajdar Lala (alias Hajdar Xaka alias Hajdar Sefa), Blerina Beqiri, E. Q dhe A. H.

Sipas dosjes, ish gjyqtarja e arrestuar Pajtime Fetah ka porositur bandat e Elbasanit për të goditur dhe eliminuar fizikisht drejtuesin e Emisionit Stop, gazetarin Saimir Kodra, i cili ka denoncuar lidhjet e gjyqtares me krimin e organizuar si dhe vendimet e saj korruptive.

Një nga figurat e krimit i ka vendosur gjyqtares në dispozicion një telefon SkyEcc, e cila përmes këtij telefoni ka komunikuar me personazhe të tjerë të krimit, duke porositur goditjen e gazetarit Kodra.

Për të realizuar aktin krimin, gjyqtarja ka angazhuar Endri dhe Klejdi Çopja, anëtarë të bandës Çopja në Elbasan.

Krimi nuk është realizuar pasi grupi kriminal nuk e kanë gjetur dot Saimir Kodrën. Krahas hakmarrjes ndaj Saimir Kodrës, gjyqtarja Fetahu dyshohet se ka urdhëruar edhe goditjen e një avokati të njohur, mik i gazetarit investigativ Saimir Kodra, drejtues i emisionit Stop.

Ka dyshime të forta se banda Çopja ka marrë porosi edhe për dhunimin barbar të gazetarit Gjergj Zefi.

Është hera e parë që një njeri i drejtësisë angazhon krimin e organizuar për të goditur gazetarët. Një akt i tillë nuk është dëgjuar as në Meksikë apo Kolumbi.

Mori tufat me euro e një monedhë floriri për mbesën, si Çopjat korruptuan gjyqtaren Pajtime Fetahu

Hetimet e SPAK për grupin kriminal Çopja, në një dosje të më parshme,zbuluan edhe lidhjet e bandës në sistemin e drejtësisë. Ish-gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu akuzohet se mori rryshfet 11 mijë euro dhe një monedhë floriri. Kërkoi nga grupi kriminal t’i blihej dhe një celular.

Krahas penetrimit në rradhët e policisë, grupi kriminal Çopja kishin të besuarit e tyre edhe në rradhët e sistemit të drejtësisë.

Sipas hetimeve të SPAK dhe komunikimeve të zbardhura në aplikacionin SKY ECC, mesohet ka rezultuar se funksionarja e drejtësisë, e cila dha dorëheqjen nga detyra në prag të vetingut, ka mbajtur kontakte me anëtarët e grupit Çopja përmes shtetasit Arzen Mama me të cilin gjyqtarja ka patur lidhje miqësore.

Në biseda anëtarët e grupit Çopja i referohen gjyqtares me nofkën “komshija”Këto njohje, Arzen Mama i ka shfrytëzuar, për të marrë prej ish gjyqtares Pajtime Fetahu, të dhëna e informacione lidhur me dosjet që ajo ka patur në hetim e gjykim ku si rezultat të hetuarit Qosja dhe Mama, i kanë dhënë shtetases Pajtime Fetahu, përfitime të parregullta.

Krahas informacionit që i ka përcjellë grupit Çopja për vendosjen e masës së sigurisë “Arrest me burg” për kundërshtarin e tyre Erion Alibej më 18 shtator të vitit 2020 para se të ekzekutohej vendimi, gjyqtares i është kërkuar nga shtetasi Mikael Qosja nëpërmjet shtetasit Arzen Mama që ajo të ndikojë dhe të ndihmojë në lehtësimin e pozitës proceduriale të anëtarëve të grupit Çopja konkretisht shtetasve Ervis Daka dhe Altin Kamami.

Sipas SPAK është evidentuar në të paktën dy raste gjyqtarja Fetahu ka marrë nga shtetasi Mikael Kamami (Qosja) nëpërmjet shtetasit Arzen Mama shuma monetare si përfitim i padrejtë, 10.000 Euro, 1.000 Euro dhe një monedhe floriri si dhuratë për mbesën e porsalindur.

Gjyqtarja kërceu në lokalin e Suel Çelës

Në vitin 2021, Pajtime Fetahu u shfaq duke kërcyer në lokalin e Suel Çelës, një personazh me dosje, i botës së krimit, subjekt i OFL dhe i drejtësisë.

Gjyqtarja Pajtime Fetahu, siç duket në një video, hedh valle në një nga strofullat më të mëdha të krimit në Elbasan, pikërisht në lokalin e Suel Çelës, të cilin gjyqtarja e ka gjykuar më parë.

Në 22 janar të vitit 2008, Pajtime Fetahu ka marrë pjesë në mbylljen e një dosje me të pandehur pikërisht Suel Çelën, i akuzuar nga prokuroria për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake.

Duke dhunuar hapur kodin e etikës dhe në shkelje të ligjit për statusin e magjistratit, gjyqtarja Pajtime Fetahu shkon dhe kërcen në lokalin e personit që e ka gjykuar.

Ka dyshime të forta se edhe lokali ku kërcen gjyqtarja Fetahu është ngritur me paratë drogës, pasi Suel Çela ka qenë subjekt i OFL. Çela doli edhe në rrëfimet e Nuredin Dumanit në skemat e vrasjes së kundërshtarëve me pagesë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *