Si Oficerja e Kredive e ‘Fondit Besa’, Flutura Çuka, përdorte një regjistër me të dhëna personale për klientët, duke marrë sa herë që nevojitej dokumente në emër të tyre.
“Fondi Besa” është një nga institucionet e mikrofinancës në Shqipëri, ku të dhënat personale të klientëve të të cilit përdoreshin ose keqpërdoreshin nga punonjësit e tij sa herë që nevojitej.
Nisur edhe nga një njoftim-status të publikuar në profilin zyrtar të “Facebook”-ut të “Fondit Besa”, ku jo vetëm hidhej baltë por edhe shantazhohej media “Priza.al” se kishte shkruar “të pavërteta” dhe se kishte dezinformuar lexuesit, në po risjellim edhe një herë me prova dhe dokumente faktet që tregojnë se kanë qenë pikërisht të dhënat personale të klientëve, ato që posedoheshin prej disa vitesh nga Fondi.
Nisur nga respekti që kemi për të informuar drejt dhe me paanësi lexuesit tanë, krejt ndryshe nga sa ka vepruar në gjithë këto vite aktivitet “Fondi Besa” dhe Bajram Muça me klientët e tij, duke i vjedhur por dhe duke u shpërdoruar të dhënat personale, “Priza.al” detyrohet të sjellë edhe një herë sot fakte dhe prova të botuara edhe më herët, pas pyetjes që me të drejtë ngritëm disa ditë më parë në një prej shkrimeve tona.
Edhe pse Bajram Muça dhe “Fondi Besa” nuk pranojnë kurrësesi të jenë pjesë e skemave të vjedhjes dhe abuzimit me të dhënat personale, apo të kenë qenë të interesuar për të siguruar në forma të ndryshme data-bazat e të dhënave personale të shqiptarëve, ne po risjellim disa prova se këto të dhëna kanë qenë në posedim në Fondit, madje kanë “fundosur” me mijëra klientë që sot janë dyerve të gjykatave.
Ndërkohë, edhe pse në statusin e “Fondit Besa” përmendej ngritja e padisë penale kundër “shpifjeve” të medias “Priza.al”, ne jemi ende në pritje të bërjes me dije në formë zyrtare nga ana e studios ligjore apo avokatëve të “Fondit Besa”, për sa ata pretendojnë.
Ne sot po rendisim vetëm disa nga provat tona, për të cilat pretendojmë se ka pasur abuzime prej kohësh, në një kohë që të tjera do të publikojmë në ditët në vijim në ndihmë edhe të organeve të drejtësisë, në një kohë që konfliktin tonë me “Fondin Besa” presim që ta zgjidhë SPAK-u dhe drejtësia.
Si vidheshin dhe ndryshoheshin të dhënat e klientëve nga punonjësit e “Fondit Besa”
Fatjona Male, juristja nga Tirana që kishte marrë në vitin 2018 një kredi pranë “Fondit Besa”, jo vetëm ishte ngatëruar në një vorbull pagesash që shtoheshin progresivisht, por ishte bërë pa e ditur edhe viktimë e vjedhjes së të dhënave personale, që asaj i ishin marrë nga regjistrate e AKSHI-t, nga oficerja e kredisë së Fondit, Flutura Çuka.
Fatjona duhej që të nxirrte vazhdimisht dokumente për problemet që i hapeshin prej kësaj kredie. Kur ajo aplikoi për herë të parë në portalin publik “e-Albania” në vitin 2020, asaj ju shfaqën dhe problemet e para me këtë portal, për të cilin adresa në emër të saj figuronte e hapur që më parë, më saktë që në vitin 2018.
Pasi hasi në probleme të tipit “mosmarrje pasëordi”, apo “adresë e hapur më parë”, Fatjona dyshoi se dikush tjetër ishte futur me këtë emër duke aplikuar sikur të ishte ajo vetëm. Por dokumentet i duheshin patjetër dhe për të marrë adresën e saj ajo nisi serinë e emaileve dhe mesazheve dërguar AKSHI-i që ka nën administrim portalin “e-Albania”.
(Foto: Kërkesa e juristes Fatjona Male drejtuar AKSHI-t, për rimarrje adrese)
(Foto: Dokumenti i AKSHI-t drejtuar shtetases Fatjona Zenel Male, që konfirmojnë hapjen e adresës në emër të saj që nga vitit 2018 në e-Albania)
Pasi insistimit dhe verifikimit personalish në AKSHI, Fatjona arin që të rimarrë adresën e saj, por që aty rezultonin të kishin dalë dokumente të emër të saj. Për këtë Fatjona ju drejtua Policisë së Shtetit dhe pikërisht sektorit të krimit kibernetik, për të hetuar mbi atë që ajo fillimisht dyshonte se dikush i kishte marrë të dhënat personale.
Pas plot 6 muajsh hetimi nga sektori i Krimit Kibernetik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, në tetor të vitit 2020, juristes së re Fatjona Male ju dha në dorë nga oficerët e policisë materiali që verifikonte se kush kishte hyrë në adresën e saj në e-Albania në emër të saj, por pa dijeni.
Personi që kishte hapur e para adresën në emër të Fatjonës në e-Albania, por pa dijeninë absolute të Fatjona Males, ishte oficerja e kredisë së “Fondit Besa”, Flutura Çuka.
(Foto: Oficerja e kredisë së ‘Fondit Besa’, Flutura Çuka)
Ajo operonte me këtë adresë pa asnjë shqetësim dhe problem që nga viti 2018, duke pasur të dhënat e kartës së identitetit të Fatjonës, dhe që prej aty kishte tërhequr të gjitha certifikatat apo dokumentet e tjera personale sikur ishte vetë klientja e saj.
Pas kësaj ajo plotësonte sipas qejfit dosjen e kredisë dhe bënte çdo lloj allishverishi me noteren Natasha Xhaçka, sikur këto t’i kishte kërkuar apo firmosur vet klientja Fatjona Male.
Pasi Fatjona u vu në dijeni nga policia për këtë abuzim të rrënd, që përbën në të njëjtën kohë edhe vepër penale, juristja e re bëri kallëzim po atë ditë fillimisht në polici dhe më pas edhe në Prokurorinë e Tiranës.
(Foto: Dokumentet e dosjes policore ku konfirmohet këqyrja e telefonit të oficeres së kredisë Flutura Çuka dhe verifikimi se ajo ka përdorur adresën e klientes Fatjona Male në e-Albania që nga viti 2018)
Por ishte pikërisht në këtë të fundit që “Fondi Besa” kishte një hallkë të fortë, që e mbronte pikërisht nga këto lloj kallëzimesh, nëse në ndonjë rast do të zbuloheshin prej klientëve të ndryshëm. Hallka mes “Fondit Besa”, oficeres së kredisë dhe Prokurorisë së Tiranës, ishte prokurori Ylli Bashaj.
“Fondi Besa” vidhte lehtësisht të dhënat te “e-Albania”, apo i kishte blerë?
Portali publik i shërbimeve “e-Albania” është një risi e qeverisë “Rama” dhe i reklamuar si një portal i cili do të ofronte lehtësira dhe komoditet për të marrë dokumente elektronike në një kohë rekord. Por po ashtu ky portal ka edhe përgjegjësinë për të mbrojtur të dhënat personale të qytetarëve nga keqpërdorimi apo grabitja e identitetit.
Megjithatë, duket se “Fondi Besa” jo vetëm që nuk do t’ja dijë për ligje, pasi prej vitesh vepron në shkelje të hapur me disa ligje, por ky institucion që ka mikluar edhe Bankën e Shqipërisë, duket se nuk pyet as për qeverinë më.
E themi këtë pasi, është pikërisht “Fondi Besa” i cili me anë të hakerimeve apo personave që kanë profile të rreme, arrin të futet edhe deri brenda portalit qeveritar, dhe të nxjerrë prej aty të gjitha dokumentet që i duhen për t’u shitur klientëve të tij të paqenën si të qenë.
Këtë veprim ka bërë edhe oficerja e kredisë së “Fondit Besa”, Flutura Çuka, e cila është futur në portalin shtetëror “e-Albania.al” duke aplikuar si të ishte vetë klientja e saj Fatjona Male, dhe te llogaria e saj ka marrë dokumente personale pa dijeninë dhe miratimin e klientes, madje duke i ndryshuar dhe kodet llogarisë së saj në profilin shtetëror të “e-Albania”-s.
Këtë gjë e ka dëshmuar për “Priza.al” vet bashkëjetuesi i Fatjonës, juristi Edmond Kasmi, i cili bashkë me partneren e tij pasi janë interesuar pranë portalit por dhe në burime të tjera private, kanë mësuar se oficerja e kredisë Flutura Çuka kishte arritur që të nxirrte certifikatë personale në emër të klientes Fatjona Male, me qëllim ngatërrimin e kësaj të fundit dhe vënies përballë faktit të kryer se ajo nuk kishte shlyer kredinë e marrë pranë “Fondit Besa”.
Nga sa ka mësuar “Priza.al”, edhe nëpërmjet burimeve konfidenciale brenda “Fondit Besa”: “kjo procedurë në këtë institucion ndiqet për të gjithë klientët kur ata ose fillojnë të kenë probleme me kredinë, ose kur si garanci është ndonjë pronë me vlerë, që ja vlen të përvetësohet. Por po ashtu, kjo procedurë zbatohet edhe kur oficerët e kredive apo shefat e tyre bllokohen për arsye të ndryshme me bilancin e portofolit të kredive dhe duhet që patjetër ndonjë klienti të vendosin t’i ‘bëjnë gropën’ ose duke i marrë pronën ose duke i faturuar të tjera detyrime për të paguar”.
Vijon…
/Priza.al/
Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016