Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kthyer në arenë gjyqesh të çështjeve dhe fijëzave politike-ekonomike-spiunazhi që tani kaluan oqeanin dhe nga SHBA erdhën në Tiranë e nga Tirana vajtën në New York, Washington e gjetkë.
Rasti i fundit i bërë publik është ai i ish-agjenti të rangut të lartë të Byrosë Federale të Hetimeve në SHBA (FBI). Aktakuza kundër ish-agjentit tregon se ai ka pasur lidhje të dyshimta biznesi me politikanë nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnje e Hercegovina. Jo vetëm kaq, por ka lobuar për të hequr “njollat e zeza” të biznesmenëve apo oligarkëve si në Shqipëri dhe në Kosovë.
Prokurorët kanë thënë se ish-agjenti ka punuar për oligarkun rus, Oleg Deripaska, dhe përmes një kompanie ligjore kanalizoi marrjen e dhjetëra mijërave dollarë.
McGonigal akuzohet se ka pranuar 225.000 dollarë para të gatshme nga një ish-zyrtar i inteligjencës shqiptare.
Por me sa duket nuk është vetëm kjo çështje që e lidh drejtësinë amerikane me personazhe shqiptare.
Le t’i marrim disa ngjarje, sipas një rendi kronologjik, e duke i bashkuar pjesëzat përpiqemi të hedhim dritë pak më shumë.
Në fund tetori 2021 dhe fund janari 2022 një ish-zyrtar i shërbimit informativ të shtetit udhëton drejt SHBA.
Gusht 2022; nga Athina vjen për një “vizitë” 2 ditore në Tiranë gjykatësi federal F.Block i cili gjykon klanin “Sinaloa”.
Ky fluturim “express” ngre pikëpyetje nëse hetimet e nisura ndaj lidhjeve shqiptare të Mc Gonigal kanë lidhje të drejtpërdrejta apo të tërthorta më çështjen që “Sinaloa” është duke u gjykuar dhe hetuar njëkohësisht.
Kush është karteli Sinaloa dhe lidhja me Shqipërinë
Emri i kartelit Sinaloa ka “ardhur” në Shqipëri përmes vëllezërve Hysa.
Sipas burimeve të inteligjencës të konsultuara nga ‘EL UNIVERSAL’, katër shqiptarët zotërojnë një rrjet kazinosh dhe biznesesh në Sonora, Baja California dhe Quintana Roo në të cilat pastrojnë miliona dollarë nga krimi i organizuar, së bashku me avokatë. Përveç kësaj, ata investojnë shuma të mëdha parash në Shqipëri për t’i pastruar ato, në investime të fokusuara në aktivitetet e lojërave të fatit dhe në fushën e turizmit. Në këtë kohë, sipas autoriteteve federale, shqiptarët po kryejnë një operacion në emër të kartelit Sinaloa për të transferuar miliona dollarë në vendin e tyre përmes kompanive të para.
Edhe pse ndoshta do të mbesë edhe për pak kohë pa përgjigje, është shumë me interes të dihet nëse vizita e gjykatësit federal F.Block që gjykon “Sinaloan”, ka lidhje me rastin Charles Mcgonigal dhe mbi të gjitha, kush është ish-zyrtari i Shërbimit Informativ që shoqëroi gjykatësin në vizitën dy ditore në Tiranë.
*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*