Liqeni Artificial i Tiranës dhe Parku rreth tij, është mushkëria e gjelbër në mes të kryeqytetit dhe vendi ku që të gjithë banorët gjejnë çlodhje dhe relaks. Aty çdo ditë me mijëra qytetarë bëjnë shëtitje dhe aktivitet sportiv, por edhe e gjejnë atë si një oaz qetësie dhe frymëzimi.
Ndaj me të drejtë banorët e kryeqytetit e konsiderojnë këtë vend si një tempull të natyrës dhe bukurisë së Tiranë, duke u bërë gjithmonë mjaftë të ndjeshëm për të gjitha projektet që zhvillohen aty.
Por ditët e fundit të karakterizuara edhe nga rrëmuja dhe tensioni elektoral në vend, kanë bërë që të qarkullojnë lajme lart e poshtë, sikur edhe Parku i Liqenit Artificial dhe vet baseni i liqenit, “po thahen për t’i lënë vendin mbathjes me dhe, nivelimit dhe ndërtimit të kullave aty”.
Me të drejtë shumë qytetarë që kalojnë orë çlodhëse çdo ditë aty, janë shqetësuar dhe kanë ngritur pyetje në lidhje me këtë veprim, nisur edhe nga ndërtimet e shumta që po bëhen në vitet e fundit në të gjitha anët e Parkut të Liqenit.
Për këtë nuk kanë munguar as statuset, qarkullimi i fotove, opinionet, por edhe lajmet nëpër portale, sikur liqeni po thahet pikërisht për ta kthyer në truall ndërtimi.
Por “Priza.al” ka mësuar sot në mënyrë ekskluzive arsyen e vërtetë se përse po ulet niveli i ujit në basenin e liqenit artificial dhe çfarë do të bëhet aty.
“Priza.al” është interesuar për këtë ngjarje dhe ka pyetur si në institucionin e Bashkisë së Tiranës, ashtu edhe në Agjencinë e Parqeve dhe të Rekreacionit, e cila kujdeset për administrimin edhe të Parkut të Liqenit Artificial.
Që të dyja institucionet e kanë mohuar kategorikisht ekzistencën e një projekti apo qëllimin për të “ndërtuar kulla”, apo çfarë do lloj ndërtimi brenda sipërfaqes së Parkut dhe Liqenit Artificial të Tiranës.
Madje i kanë thënë “Priza.al” se disa portale kanë spekuluar duke përhapur lajme të pavërteta në lidhje me këtë fakt.
Por “Priza.al” nuk u mjaftua me këtë përgjigje dhe kërkoi që të marrë një shpjegim më shterues nga institucionet. Por pas orvatjeve tona për të mësuar gjithë të vërtetën e fatit të Liqenit Artificial, arritëm të marrim edhe informacionin e duhur.
Burime nga APR-ja dhe Bashkia Tiranë, i konfirmuan “Priza.al” se qëllimi i uljes së nivelit të ujit në basenin e liqenit është për një rikonstruksion të pjesshëm të digës.
“Nga tërmeti i fundit i fuqishëm i vitit 2019, edhe diga e Liqenit Artificial në dy krahët e shpatullave mbajtëse të digës ka pësuar disa dëmtime të lehta dhe plasaritje. Më të dukshme dhe më të mëdha ato janë në pjesën perëndimore të digës, në afërsi me unazën e re të Tiranës”,- deklaruan burimet për “Priza.al”.
Ata shtuan më tej se, “Për këtë do të bëhet një ndërhyrje teknike për riparimin e plasaritjeve dhe rregullimin e të gjithë pjesëve të dëmtuara të digës së Liqenit Artificial, me qëllim ruajtjen e saj si ‘objekt i rëndësisë së veçantë’. Por një riparim i tillë nuk mund të bëhet nëse liqeni është i mbushur me ujë, pasi këto ndërhyrje do të bëhen të pjesën e brendshme të digës”.
Sipas të njëjtave burime, “për këtë qëllim APR-ja dhe bashkia po bëjnë një shkarkim të kontrolluar të nivelit të ujit në basen, me qëllim që të nisin sa më parë punimet (në verë), me qëllim përfundimin e tyre përpara stinës së reshjeve (vjeshta), kur liqeni mbushet në mënyrë natyrale me ujin e shiut. Po ashtu do të kontrollohen edhe tunelet dhe portat e shkarkimit të ujit, për çdo avari apo dëmtim të mundshëm”.
Liqeni Artificial i Tiranës dhe parku rreth tij, u ndërtuan në vitin 1955 me punë vullnetare, duke shfrytëzuar disa prurje ujore të zonës. Fillimisht qëllimi ishte të disiplinonin ujërat kodrinore të kodrave të Selitës, si dhe të vaditeshin nëpërmjet tij dhe disa rezervuarve më të vegjël tokat bujqësore rreth e qark kryeqytetit. Por më pas u mendua për një zonë rekreative dhe u formësua parku i madh i Tiranës që është edhe sot.
/Priza.al/