Mashtrimi në Shqipëri jo vetëm që është sofistikuar deri në nivelet më të larta, por ka marrë edhe përmasa të frikshme, sa që pjesë e skemave janë bërë edhe bankat dhe fondacionet kredidhënëse.
Këto të fundit duket se në mungesë të klientelës për të huazuar para, janë bërë pjesë e skemave “çarqe” për individ të ndryshëm të pakujdesshëm që ngatërrohen me marrje huash.
Por e pazakontë është historia e tre të rinjve nga Laç-Vaudejsi i Shkodrës, të cilët kanë ardhur dhe kanë treguar ekskluzivisht për “Priza.al” historinë e tyre, se si janë bërë viktima të një skeme mashtrimi me “Fondin Besa”.
Tre të rinjtë, përkatësisht Vullnet Musa, Florjon Gjini dhe Bilhajr Trapi, që të tre banues në bashkinë e Laç-Vaudejsit, janë gjendur njëri pas tjetrit viktima të një skeme të rafinuar mashtrimi financiar, që tashmë i ka futur në kurth dhe i ka ngatërruar me Prokurorinë, bankat private, “Fondin Besa”, përmbaruesit privatë dhe familjarët e tyre.
Edhe pse histori të tilla mashtrimi financiar janë përmendur më herët në mediat investigative, kjo këtë herë përbën një skandal të madh pasi nxjerr në pah bashkëpunimin midis dy prej bankave private të nivelit të dytë, me një fondacion huadhënës siç është “Fondi Besa”.
Si nisi historia e mashtrimit
Tre të rinjtë nga Laç-Vaudejsi, përkatësisht Vullnet Musa, Florjon Gjini dhe Bilhajr Trapi, erdhën dhe trokitën në derën e redaksisë së “Priza.al” dhe rrëfyen në mirëbesim historinë e tyre të përbashkët të përfshirjes në një skemë mashtrimi.
Pasi kishin humbur besimin tek institucionet bankare dhe shtetërore dhe të gjendur nën presionin e përmbaruesve privatë apo të oficerëve të bankave, të rinjtë vendosën që ta mediatizojnë historinë e tyre.
Ekskluzivisht për “Priza.al” ata rrëfyen se, si në verën e vitit 2018 në qytetin e tyre, Laç-Vaudejës, në muajt qershor- korrik, kishin rënë në kontakt dhe ishin njohur njëri pas tjetrit me personin Ledio Vrapi, një i ri nga Tirana.
Ky i fundit u kishte konfiduar “në mirëbesim” të rinjve nga Laç-Vaudejsi, se ishte një individ i pasur dhe se kishte nevojë për ndihmën e tyre, për të transferuar disa pjesë të parave të tij, “pa rënë në sytë e shtetit”.
Flimisht Ledio Vrapi (që është edhe personi që ka ngatërruar dhe mashtruar tre të rinjtë), ka rënë në kontakt njohjeje me Florjon Gjinin. Ai e ka njohur Florjonin nëpërmjet një vajze me emrin Aulona Agolli, që sipas Florit, ishte një e re simpatike nga Korça, por me banim në Tiranë, ku dhe pretendonte se ishte studente.
Pasi Aulona ka mundur që ti prezantojë Ledio Vrapit “mikun” e saj Florjonin, duke bërë kështu pikën e parë të kontaktit, ajo duket se është “zhdukur nga skena”, sepse e ka kryer “misionin e saj”.
Vetë Ledio i vënë në kontakt njohjeje fillimisht me Florjonin dhe më pas edhe me miqtë e tij Vullnetin dhe Bilhajrin, u ka kërkuar tre të rinjve që “ta ndihmojnë për të qarkulluar një pjesë të parave të tij”. Ndihma e presupozuar do të bëhej duke hapur nga një llogari bankare pranë BKT-së për secilin person. Në këto llogari bankare, Ledio do t’u kalonte të rinjve nga një sasi parash (disa milionë lekë), dhe pasi ata t’i tërhiqnin ato dhe t’ja jepnin sërish atij, do të përfitonin secili nga një “kafe” prej 50 mijë lekësh të rinj.
Të joshur nga kjo shumë tre të rinjtë e papunë nga Laç-Vaudejsi, si dhe duke qenë në kulmin e sezonit veror, vendosën që ta ndihmon mikun e panjohur, vetëm duke u mjaftuar nga shpjegimi i tij, se ai “kishte shumë llogari bankare që depozitonte dhe tërhiqte para, dhe se kjo ngjallte dyshime te organet tatimore që mund ta taksonin më shumë atë”.
Deri këtu gjithçka dukej krejt normale dhe të rinjtë dukej sikur nuk do të kishin asnjë përgjegjësi dhe problem pas kësaj, por vetëm do të dilnin nga gjithë kjo “ndihmesë” me nga një “kafe” qërasje prej 50 mijë lekësh secili.
Nga klientë tek ‘BKT’ dhe ‘Credins’, tek kreditorë te ‘Fondi Besa’
Nuk qe e thënë që tre të rinjtë nga Laçi-Vaudejës, Vullneti, Florjoni dhe Bilhajri, të shijonin në paqe paratë e përfituara nga “bujari” Ledion Vrapi. Duke hapur nga një llogari bankare secili, fillimisht në “BKT” dhe më pas edhe në bankën “Credins”, ata pa e ditur ishin bërë edhe pak klientë të “Fondit Besa”.
Por te ky i fundit ata nuk kishin çelur llogari bankare, por rezultojnë të jenë debitorë në shuma të konsiderueshme kredie, si dhe më tej edhe vënës garancie të pronave të patundshme.
Për këto të fundit, firmat e tre të rinjve të dhëna fillimisht në “BKT” dhe “Credins” për llogari bankare, pasi kanë kaluar në “Fondin Besa” kanë përfunduar edhe në dosjet e një notereje të njohur në mes të ish-Bllokut në Tiranë, ku tre të rinjtë rezultojnë edhe si vënës garancie të një pike karburanti dhe një lokali.
Por tre të rinjtë e papunë asaj kohe, e kanë mësuar këtë fakt jo në muajt e verës të vitit 2018 kur ata me zemërgjerësi vendosën të ndihmon mikun e tyre Ledio Vrapi.
Ata janë venë në dijeni se janë debitorë pranë “Fondit Besa” me kredi të ndryshme dhe dorëzanës në disa prona të patundshme në Tiranë e Shkodër, vetëm në muajt tetor-nëntor të vitit që lamë pas, 2020.
Këtë “surprizë” aspak të pakëndshme atyre ua kanë bërë oficeri i kredisë së “Fondit Besa” Elton Çobani dhe Flamur Vata. Ky i fundit ka marrë vetë kontakt me të rinjtë dhe i ka nxitur që të nisin bërjen e shlyerjes së detyrimeve të kësteve të kredive që ata nuk i kanë marrë asnjëherë.
Ai madje ka përpiluar dhe u ka dorëzuar atyre herë me firmë dhe herë pa firmë edhe akt-njoftimet nga ana e “Fondit Besa” (dokumenti në foto), me të cilat “klientët” kredimarrës viheshin në dijeni për shumat e marra si kredi dhe për detyrimet që duhet të shlyenin.
Nuk dihet me saktësi se si firmat dhe të dhënat e tre të rinjve nga Laçi-Vaudejës përfunduan nga “BKT”-ja dhe “Credins” tek “Fondi Besa”, por një gjë është e qartë se mes mashtruesit Ledio Vrapi dhe subjekteve financiare të mësipërme është krijuar një lidhje, që në mos mes institucionesh dhe titullarësh, mes oficerësh kredie, manaxherësh dhe agjentësh banke.
“Priza.al” është duke i zbardhur të gjitha faktet e grumbulluara dhe të vëna në dispozicion nga viktimat e kësaj skeme mashtruese dhe në ditët në vijim do të publikojë fakte të reja lidhur me këtë skemë.
Historiku i “Fondit Besa”
“Fondi Besa” ose Fondacioni “Besa”, që sot konsiderohet si një institucion mikro-finance, i licencuar nga Shteti Shqiptar dhe nën mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë, i ka fillesat e tij që prej vitit 1998.
Pikërisht në ato vite kur Shqipëria sapo kishte dalë nga ethet e trazirave të 1997-’98, të shkaktuara nga rënia e firmave piramidale rrentjere, nisin fondacionet e para të mikrofinancimit si dhe “Fondi Besa”.
Por nga të dhënat publike në faqen zyrtare të Fondit “Besa”, rezulton se, fillesat e aktivitetit të tij në sektorin financiar janë që në vitin 1994, kur ka nisur aktivitetin si “Departament i Mikrokredisë Urbane”, në kuadër të Fondit të Zhvillimit Shqiptar.
Më pas, në vitin 1999, themelohet fondacioni “Besa”, si një organizatë joqeveritare, jopolitike dhe jofitimprurëse, me themelues, ideator dhe nxitës nismëtar “Fondacionin Soros”.
Sot Fondacioni “Besa” është një shoqëri aksionare, me kontroll absolut të biznesmenit Bajram Muçaj. Fondacioni “Besa” është regjistruar si i tillë në vitin 2008.
Aksionerët kryesorë të saj janë Bajram Muça me 20 për qind të aksioneve dhe “Albania Besa Capital”, i kontrolluar po nga Muça, me 65.8 për qind të aksioneve. Pjesa tjetër është ndarë në përqindje të vogla në rreth 30 aksionerë të tjerë.
Fondacioni “Albania Besa Capital” i Bajram Muça, me një akt-dhurimi të fundit të Dhjetorit 2008, ka pranuar 100% të aksioneve të fondit “Besa”, i krijuar nga i njëjti person në vitin 1994.
Në vitin 2008, fondacioni merr vendimin për t’u transformuar nga një organizatë jo-qeveritare, në një shoqëri tregtare aksionare.
Në vitin 2009 realizohet transferimi i plotë i stafit dhe i aseteve të Fondit “Besa” tek shoqëria aksionare “Besa”.
Sipas të dhënave nga bilanci i saj, Fondi kishte për vitin 2015 të ardhura prej 1.6 miliardë lekësh, me një rritje prej 11% me bazë vjetore, duke u renditur ndër 200 kompanitë më të mëdha në Shqipëri. Fitimi para taksave ishte 341 milionë lekë.
Portofoli i kredisë (hua dhënë klientëve neto) së Fondit Besa ishte rreth 6 miliardë lekë (rreth 44 milionë euro) në fund të 2015-s, sipas të dhënave nga bilanci.
/Priza.al/