Nga tërmeti i fuqishëm në Turqi raportohet se ka lëvizur edhe pllaka tektonike arabe, që ndodhet poshtë gadishullit të Anadollit.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat e huaja, sipas të cilave, pllaka tektonike ka lëvizur me 3 metra.
“Ajo që ndodhi është se ajo që ne e quajmë pllaka arabe u zhvendos rreth tre metra në një drejtim verilindje-jugperëndim në krahasim me pllakën e Anadollit,” tha Carlo Doglioni.
Në fakt, sipas profesorit, Turqia “u zhvendos” në jugperëndim… “Kjo është një lëvizje gjatësore, niveli i thyerjes është shumë i pjerrët dhe gjatë ngjarjes vërehet një zhvendosje horizontale e dy anëve të thyerjes. Të dy palët lëvizën në raport me njëra-tjetrën. Me fjalë të tjera, është sikur Turqia ka lëvizur në lidhje me pllakën arabe në jugperëndim”.
Sipas gjeofizikanëve, tërmeti me magnitudë 7.8 Rihter kishte fuqinë e 130 bombave bërthamore.
Deri më tani nga tërmeti i fuqishëm kanë mbetur të pajetë mbi 2600 persona, ndërkohë që numri i tyre pritet të rritet në vijim, pasi një pjesë e madhe e njerëzve ndodhen nën rrënoja.
Gjithashtu raportohet për mbi 8 mijë të plagosur, të cilët ndodhen në spitalet e vendit.