Eksperti: Arsimi nuk po frymëzon, mësuesit të demotivuar, nxënësit po emigrojnë

Eksperti i çështjeve arsimore, Ndriçim Mehmeti, tha se emigracioni masiv i të rinjve është problemi më shqetësues i institucioneve arsimore në vend, teksa përmendi se kriza energjetike do të cenojë më tej cilësinë në mësimdhënie këtë vit.
Ndër të tjera, ai tha se është rritur demotivimi te mësuesit, për shkak të pagës së ulët dhe politizimit të lartë dhe gjithashtu ka humbur interesi për të mësuarit tek nxënësit, të cilët e kanë kthyer emigracionin në “profesion”.

Cilat janë sfidat dhe problematikat me të cilat do të përballet ky vit i ri akademik?

Ky vit shkollor për arsimin parauniversitar, por edhe si vit akademik 2022-2023, për arsimin e lartë, do të jetë me sfida të mëdha. Së pari, një problem i madh (që institucionet tona arsimore e kanë të trashëguar) është ngrohja e shkollave.

Kjo sfidë bëhet edhe më e madhe në kushtet e krizës së energjisë që ka mbërthyer tërë Europën. Ne kemi shumë zona juglindore, veriore dhe verilindore që kanë një dimër të gjatë dhe të ftohtë, prandaj duhet të na ishte paraqitur shumë më herët një plan në nivel vendor dhe qendror, sesi do të bëhet ngrohja e këtyre institucioneve arsimore, prej arsimit parashkollor deri tek arsimi i lartë. Së dyti, mbetet një sfidë e madhe zvogëlimi i numrit të nxënësve në nivel kombëtar, rritja e numrit të nxënësve në klasa kolektive, braktisja e përkohshme apo e përhershme e shkollës, mungesa e mjeteve didaktike, mjediseve argëtuese e sportive, internetit dhe laboratorëve modernë të kompjuterëve dhe shkencave natyrore, mungesa e kualifikimit të mësuesve, të ndihmës mësuesve etj.

Së treti, ne kemi mësues, por edhe të rinj, të demotivuar. Me pak fjalë, mësuesit shkojnë në shkollë për të marrë pagën, ndërsa nxënësit thjesht se duhet të justifikojnë faktin se janë diku dhe shkolla është streha më e mirë. Mësuesit tanë janë të keqpaguar, nën trysni dhe të mbërthyer nga një drejtim shkolle, thellësisht politik dhe në shumicën dërmuese të paaftë për detyrën që u është besuar.

Arsimi i lartë, po ashtu, vuan problematikat e arsimit parauniversitar, prej studentëve me nivel jo të mirë, rënia e numrit të tyre, mungesa e interesit për programet e studimit të mësuesisë, mungesë fondesh nga qeveria për kërkimin shkencor, mungesa e kampuseve universitare e kështu me radhë. Për shkak të emigracionit të lartë dhe rënies së lindjeve, numri i nxënësve në shkolla po tkurret me shpejtësi. A duhet një riorganizim i sistemit arsimor për të rritur cilësinë?

Duhej bërë shumë më shpejt. Ne kemi sot ZVA edhe aty ku nuk ka nxënës. Katër drejtoritë e mëdha arsimore rajonale dhe një drejtori e përgjithshme, nuk e justifikojnë aspak realitetin në terren. Shpenzojmë disa miliona lekë për paga, mirëmbajtje, kancelari, karburant e internet, ndërkohë që me një racionalizim të burimeve njerëzore dhe infrastrukturës, sot do të kishim një realitet krejt ndryshe. Kemi një numër të lartë të nxënësve në klasa kolektive, nuk garantojmë dot transportin në zonat e thella, kemi mungesë infrastrukture rrugore, çka ul interesin e prindit për shkollën, pasi në peshë vihet siguria e jetës së fëmijës, përpara arsimimit. I ashtuquajturi plan i përqendrimit të shkollave, i filluar nga znj.

Nikolla, u la në mes të rrugës, në rastin më të mirë dhe në raste normale, u bë për të hequr qafe ca mësues “të papërshtatshëm” politikisht. Për t’u rikthyer te pyetja nuk ka dhe nuk ka për të pasur ndonjë plan riorganizimi, së paku për këtë vit, pasi dihet që jemi në prag të zgjedhjeve lokale dhe peshorja do të anojë nga interesat politikë, jo nga objektivi për rritjen e cilësisë së arsimit.

Në drejtim të kurrikulës, Ministria e Arsimit ka bërë disa ndryshime këtë vit. A janë të mjaftueshme dhe çfarë duhet bërë më tej?

Ministria e Arsimit nuk ka asnjë plan të detajuar për reformimin e kurrikulës, pasi nuk ka asnjë studim me arritjet dhe mangësitë e kurrikulës anglo-saksone që qeveria socialiste na serviri pas vitit 2013. Edhe këtë vit do të vijojë si vitet e tjera. MAS nuk ka më çfarë të ofrojë. Në këtë fillimviti, problemi më i madh për diskutim publik janë bastet sportive dhe jo cilësia e arsimit. E ashtuquajtura Abetare unike, ishte dhe është sa për propagandë boshe, për gjoja atdhetarizëm, pasi nga mënyra sesi u prezantua, la jashtë shqiptarët e Malit të Zi, Serbisë Jugore e Maqedonisë së Veriut. Por edhe sikur të ishte ndryshe, pyetja është: Si do ta përmirësojë kurrikulën, programet mësimore dhe do ta rrisë cilësinë e arsimit, Abetarja unike??

Rezultat e maturës shtetërore po shënojnë ulje nga viti në vit. Cilat janë shkaqet pas këtyre rezultateve?

Përgjigjja e kësaj pyetje kërkon një analizë të gjatë e të thellë, duke parë vit pas viti, për të parë sesi mbërritëm në këtë pikë. Përmbledhtazi mund të them se janë këto arsyet kryesore të rënies së rezultateve të Maturës Shtetërore:

Së pari, është mungesa e një mësimdhënie cilësore dhe e barabartë në të gjithë vendin. Shkollat urbane kanë më shumë mundësi se shkollat rurale. Por edhe brenda shkollave urbane ka një ndarje në shkolla të dorës së parë dhe shkolla të dorës së dytë. Mungesa e cilësisë së mësimdhënies në shkollat rurale (sigurisht jo në të gjitha, por në pjesën më të madhe po) ka bërë që prindërit të sakrifikojnë për të sjellë fëmijët në shkollat urbane, por edhe më keq akoma, kur shpërngulen në qytete me qëllimin që t’u japin një shans të mirë fëmijëve. Së dyti, është mungesa e kërkesës së llogarisë e njëjtë dhe niveli i notës fiktive. Ky fenomen (i notës fiktive) vërehet më shumë në shkolla periferike dhe provinciale, por nuk përjashtohen edhe jo pak raste në zonat urbane ku përmes ryshfetit, kurseve jashtëshkollore, përfitohen nga nxënësit nota të pamerituara;

Së treti, jo pak ndikim ka kurrikula dhe programi mësimor që nuk i përgjigjen kohës dhe kërkesave të lëndës. P.sh., nxënësit nga shkolla 9-vjeçare në lëndën e matematikës marrin më pak ngarkesë kur vijnë në shkollën e mesme.

Kjo bën që dijet e tyre të jenë të cunguara, mungon mësimi logjik, kultivimi i mendimit kritik, ushtrimi i nxënëseve në projekte e pavarura etj. Të gjitha këto kanë si rezultante një deformim dijesh, që nuk i japin mundësi nxënësit të shpalosë potencialin e tij.

Së katërti, për këto e shumë argumente të tjera, nuk kemi pasur asnjëherë një analizë serioze me aktorë dhe faktorë të interesuar për cilësinë e arsimit.

Cilin konsideroni problemin më të mprehtë që duhet zgjidhur në arsimin parauniversitar?

Për fat të keq nuk ka një, por janë shumë. Do t’i rendis shkurtimisht

– Drejtimi i dobët politik, pa një vizion të qartë se ku jemi dhe ku do të shkojmë dhe i pakonsultuar me askënd që di sadopak nga punët në arsim.

– Mungesa e infrastrukturës bashkëkohore dhe me standarde për një mësimdhënie cilësore;

– Demotivimi i mësuesve. Kemi mësuesit dhe pedagogët me pagat më të ulëta në rajon. Kosova, Maqedonia e Veriut, Seria e Mali i Zi i kanë më të larta se vendi ynë;

– Përqindja që zë arsimi në PPB, është po ashtu më e ulët se në Kosovë që e ka 4.6% dhe Malit të Zi, 4.8%;

– Kemi një shoqëri apatike, të pandjeshme ndaj arsimit dhe sidomos edukimit dhe prindërit më inferiorë, që mund të gjenden, krejtësisht të painteresuar për të ardhmen e fëmijës së tyre

– Së fundi kemi një qeveri që nuk e ka pasur dhe nuk do ta ketë ndonjëherë arsimin përparësi./monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *