Eksperti i IT-së, Besmir Semanaj në një postim në rrjetet sociale denoncon se qeveria po përdor sistemin “Deep Packet Inspection” si mjet kontrolli dhe censure. Por çfarë është “DPI” dhe kush është rreziku? Këtë e sqaron eksperti.
“Gjatë fundjavës isha në Shqipëri dhe vura re se TikTok funksiononte normalisht në çdo rrjet, si në rrjetin mobil ashtu edhe në WiFi. Kjo tregon se vendimi i qeverisë për bllokimin e platformës nuk është zbatuar dot teknikisht, çka është, në thelb, qesharake. Në rrethet e IT-së përflitej për një përpjekje për të vendosur DPI pranë ofruesve më të mëdhenj të internetit në vend.
Por çfarë është në të vërtetë DPI (Deep Packet Inspection), çfarë rreziqesh paraqet për privatësinë e qytetarëve dhe a duhet të implementohet një teknologji kaq e ndjeshme pa një kuadër ligjor të qartë dhe të detajuar?
DPI (Deep Packet Inspection) është një teknologji që u lejon ofruesve të internetit (ISP) ose autoriteteve të inspektojnë në mënyrë të detajuar përmbajtjen e paketave të të dhënave që kalojnë nëpër rrjet.
Ndryshe nga inspektimi i thjeshtë i “header-it” të një pakete, DPI shikon edhe përmbajtjen reale, që do të thotë:
- Mund të dallojë llojin e trafikut (video, tekst, aplikacion i caktuar si TikTok, VPN etj).
- Mund të bllokojë, ridrejtojë ose modifikojë trafikun në kohë reale.
- Mund të monitorojë sjelljen e përdoruesve në internet në nivel shumë të detajuar.
Pse përdoret DPI?
- Për kontroll dhe censurë (si në rastin e TikTok)
- Për siguri kibernetike (p.sh. zbulimi i malware)
- Për optimizim trafiku ose menaxhim të rrjetit (QoS)
- Për mbikëqyrje masive, që është shqetësuese nga aspekti i të drejtave të njeriut.
⸻
Rreziqet për privatësinë e qytetarëve:
- Mbikëqyrje masive – DPI mund të analizojë çdo gjë që bëjmë online në kohë reale.
- Shkelje e të drejtës për privatësi – Edhe nëse nuk bllokon asgjë, vetë fakti që monitoron krijon një ambient të frikshëm.
- Keqpërdorim i të dhënave – Nëse qeveria ose ISP-t nuk janë transparentë, të dhënat mund të përdoren për qëllime politike, ndëshkime, ose manipulime.
- Mungesë transparence dhe kontrolli nga publiku – Nëse DPI vendoset pa kuadër ligjor të qartë, nuk ka as mekanizëm ankese e as garanci për të drejtat themelore