Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu bashkë me tre deputetë të tjerë kanë dorëzuar sot në Kuvend një projektrezolutë që lidhet me situatën sipas tij të tensionuar në rajon, në Ballkan dhe Kosovë.
Rezoluta përmban 5 pika drejtuar qeverisë shqiptare, ku ndër të tjera i kërkohet që këtë shqetësim ta përcjellë në institucionet ndërkombëtare si NATO, OSBE apo edhe Këshillin e Evropës. Mediu tha se kjo projektrezolutë që kërkon marrjen e hapave konkretë nga Shqipëria dhe do të konsultohet me të gjithë deputetët dhe forcat e tjera politike për të dalë me një qëndrim
“Me kolegun Bujar Leskaj, Isuf Çelaj, por dhe shumë të tjerë kemi menduar që të paraqesim në Kuvendin e Shqipërisë një projekt rezolutë, të cilën do ta diskutojmë me të gjithë përfaqësuesit e partive politike në mënyrë që të arrijmë në një rezolutë të plotë, të përfaqësojmë qëndrimin e parlamentit dhe të forcave tona politike, për të njehsuar një qëndrim mbarëshqiptar në raport me zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit. Është një situatë shqetësuese që duhet të na bëjë të jemi të gjithë në një zë, në një qëndrim, në një frymë bashkëpunimi dhe konsultimi dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë”, deklaroi Mediu.
5 kerkesat drejtuar qeverise shqiptare
1-Të ngarkojë qeverinë e Shqipërisë në këshillim me partnerat tanë që të adresojë këtë problematikë në NATO
2- Përmes delegacioneve të veta në NATO, OSBE, KIE, dhe institucione të tjera ta shpërndanë këtë rezolutë dhe ta bëjë objekt debati.
3- I kërkon qeverisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në OKB të përcaktojë objektivat për rajonin dhe Kosovën.
4- Të shtohet mbështetja për integrimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare duke shpjeguar se lënia e këtij shteti jashtë ekspozon atë dhe rajonin përballë kërcënimeve ruso-serbe dhe destabilizimit të Ballkanit
5-Ka ardhur koha të zhvillohet një forum ndërparlamentar Shqipëri, Mali i Zi, Kosovë dhe Maqedonia e Veriut me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike parlamentare shqiptare.
PROJEKTREZOLUTA
Duke ndjekur me vëmendje të veçantë rritjen e tensioneve ndëretnike në rajonin tonë, tensione me rrezikshmëri të lartë për ringjalljen e konflikteve të përgjakshme, të cilat janë në thelb të lidhura me politikën e Serbisë ndaj fqinjëve të vet, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Malin e Zi;
Duke u bashkuar me shqetësimin e shprehur nga Parlamenti Europian, Kongresi Amerikan, Parlamenti Britanik, nga disa qeveri të vendeve europiane dhe shumë analistë seriozë në Europë e në SHBA, shqetësim i mbështetur sidomos në përpjekjet e fundit të Republika Srbska, për t’u shkëputur nga BiH, gjë që po çon, sipas vlerësimit të përfaqësuesit të lartë të BE-së në BiH, Christian Schmidt, në shembjen e marrëveshjes së paqes, nënshkruar në Dejton në vitin 1995, me ndërmjetësimin e SHBA;
Duke i parë të ndërlidhura narrativat destabilizuese të Presidentit Vucic dhe zyrtarëve më të lartë të shtetit serb, me ndërhyrjet e hapura për të penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, me tentativat e Republika Srbska për të krijuar ushtrinë e saj, jashtë kontrollit kushtetues të Sarajevës, deklarimet për shkëputje nga BiH, situatën e paqëndrueshme politike në Maqedoninë e Veriut, si dhe me dislokimin e kohëve të fundit të ushtrisë serbe në kufi me Republikën e Kosovës, gjë që e shtyu Kryeministrin Kurti të paralajmëronte se rajoni po shkonte drejt një konflikti të armatosur;
Duke parë gjithashtu se kjo tablo shqetësuese është e ndërlidhur ngushtë me intensifikimin e shumëfishtë të pranisë Ruse në rajonin tonë, në zbatim të deklaratës së Presidentit Putin, se “Ballkani është një back yard i Rusisë”, gjë që në realitet po kryhet përmes mbështetjes ndaj Serisë, për ta shndërruar atë në fuqi dominuese në Ballkanin Perëndimor, si rrugë për ta rritur presionin mbi Uashingtonin dhe Brukselin;
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi:
- Të ngarkojë qeverinë e Republikës së Shqipërisë në këshillim me partnerët tanë strategjikë dhe ta adresojë urgjentisht këtë problematikë në NATO.
- Nëpërmjet delegacioneve të veta në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ta shpërndajë këtë rezolutë në këto asamble dhe ta bëjë atë objekt debati atje, si dhe forumet e tjera ndërparlamentare.
- I kërkon qeverisë, si anëtare e përkohshme për dy vitet e ardhshme e Këshillit të Sigurimit të OKB, të përcaktojë qartësisht objektivat për rajonin dhe Kosovën.
- Të shtohet mbështetja për Integrimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, duke shpjeguar me theks të ri, se lënia e këtij shteti të ri jashtë, e ekspozon atë dhe rajonin me lehtësi përballë kërcënimeve ruso-serbe.
- Të organizojë një forum ndërparlamentar Shqipëri – Mali i Zi – Kosovë – Maqedoni e Veriut, me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike parlamentare.