Ekstradohet nga Gjermania në vendin tonë 36-vjeçari korçar, Andi Janko. Policia ka njoftuar se ai ishtë shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ishte dënuar për veprën penale ‘Mashtrimi me pasojë të rëndë’, kryer më shumë se një herë.
Policia njofton se në momentin e ekstradimit, Janko i është dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
“Vijon bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe homologëve, për kapjen, arrestimin dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Wiesbaden Gjermani, falë shkëmbimit të vazhdueshëm të informacionit, u bë i mundur arrestimi në Gjermani i shtetasit Andi Janko, 36 vjeç, banues në Korçë, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendimin e datës 01.03.2017, e ka dënuar këtë shtetas me 12 vite burg, për veprën penale ‘Mashtrimi me pasojë të rëndë’, kryer më shumë se një herë. Ky shtetas iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve”, njofton policia.