Ekstradohet nga autoritetet spanjolle në Tiranë Ismail Zeneli, një nga të shpallurit në kërkim nga SPAK, të grupit ku u arrestua dhe Erzen Brecani. Ismail Zeneli është personi që donte të vriste vëllezërit Nela për hakmarrje pasi besonte se në vitin 2013 i kishin vrarë vëllain me emrin e ndryshuar, Xhem Krasniqi, krim që kishte ndodhur në Britaninë e Madhe.
Në dosje, Ismail Zeneli bisedon me Bujar Ajetin, i cili ka marrë përsipër ta ndihmojë në këtë hakmarrje dhe i kërkon të gjejë vendndodhjen e dy vëllezërve Edmond dhe Albert Nela, të cilët ishin autorët e vrasjes së vëllait të tij.
Ismail Zeneli akuzohet për veprat penale: “Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe materiale për te kryer vrasje”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”.
Ismail Zeneli, i shpallur në kërkim për trafik të lëndëve narkotike si pjesë e grupit Breçani, kishte rolin e porositësit dhe financuesit për lëndët narkotike që porosisnin nga Amerika Latine. Por, si pjesë e këtij grupi kriminal, Zeneli kishte pasur dhe përkrahjen për të marrë hakun për vrasjen e vëllait, ngjarje e ndodhur në vitin 2013.