Ekzekutimi i dyfishtë në Elbasan, misteri i makinës me targa të vjedhura dhe…

Krimi i cili tronditi Elbasanin 4 ditë më parë, ku mbetën të vrarë Ardian Collaku dhe Lulzim Bitri, ka mbetur ende pa autorë të identifikuar.

Mjeti tip “Volvo”, i dyshuar i përdorur nga autorët gjatë atentatit, nuk dihet nëse është e vjedhur apo e trafikuar. Kjo për shkak se kjo makinë, e gjetur e shkrumbuar në fshatin Balldren, 15 minuta pas ngjarjes, nuk kishte numër shasie. Makina është djegur plotësisht dhe brenda saj nuk ka pasur asnjë fije floku dhe asnjë gjurmë gishti për të ndihmuar hetuesit në identifikimin e autorëve.

Po ashtu edhe kamerat e sigurisë, edhe pse të shumta në zonë, nuk kanë mundur që të kapin detaje nga fytyra e personave që qëlluan ndaj dy personave për shkak të maskimit të përdorur.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se targat e mbivendosura në të janë vjedhur disa muaj më parë po në qarkun e Elbasanit. Burime zyrtare konfirmojnë se kjo targë është denoncuar si e vjedhur nga vetë pronari.

Ditën e ngjarjes, brenda mjetit u gjetën edhe armët e përdorura nga atentatorët. Numrat serial të tyre ishin fshirë. Për të zbuluar nëse në to ka pasur prova që mund të çojnë në identifikimin e autorëve, është kërkuar ndihma e një grupi të posaçëm e të specializuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Dyshohet se shkak i ngjarjes janë konfliktet e vjetra të dy viktimave. Nga hetimet e kryera nga Policia e Elbasanit dyshohet se shënjestër e atentatit ka qenë Lulzim Bitri. Kjo për shkak se kamerat e sigurisë pranë vendit ku ndodhi ngjarja kanë fiksuar të plotë edhe dinamikën e saj.

Lulzim Bitri njihet si miku i Talo Çelës, i cili është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi akuzohet për vrasjen e vëllezërve Haxhiaj, si dhe atë të Anxhelo Avdias dhe Dorian Shkozës. Ai u akuzua për një vrasje të ndodhur 3 vjet më parë në Tetovë, por për mungesë provash u lirua.

Me precedentë është edhe Ardjan Çollaku, i dënuar në Itali për trafik droge e prostitucion. Por nuk u ekstradua me vendim gjykate. Gjithashtu dyshohet se ka bashkëpunuar dhe me grupin e Dubait dhe të Erion Alibejt, i cili është vëllai i Endrit Alibejt, që mbeti i vrarë në të ashtuquajturën masakra e Bradasheshit në vitin 2018.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *