Dy ditë pas vrasjes së Ismet Çekorjes në Shkodër pranë banesës së tij, hetimet kanë marrë një kthesë tjetër. Grupi hetimor i Policisë së Shkodrës ka përjashtuar nga hetimet për vrasjen e 57-vjeçarit, hakmarrjen e Alban Bruçit, i riu që u shpëtoi atentatit të 25 Gushtit.
Policia e Shkodrës ka bërë shoqërimin e afro 15 personave në komisariat për t’u marrë në pyetje. Mes të shoqëruarve është edhe Alban Bruçi ndaj të cilit më 25 gusht të këtij viti iu bë një atentat në lagjen Rus ndërsa policia shpalli në kërkim shtetasin Bajram Çekorja si autor i dyshuar, djali i viktimës Ismet Çekorja që u vra dy ditë më parë. Blutë e Shkodrës kanë lënë të lirë të gjithë shtetasit që u shoqëruan për vrasjen e Çekores.
Në këtë mënyrë kanë rënë poshtë dyshimet se vrasja e Çekores ka lidhje me atentatin ndaj Alban Bruçit. Përpos kësaj pak ditë përpara se Ismet Çekorja të vritej është takuar me babain e Alban Bruçit pasi kishin lidhje shoqërore të hershme dhe familjet janë sqaruar me njëra-tjetrën se Bajram Çekorja, djali i viktimës nuk ka asnjë lidhje me atentatin ndaj Alban Bruçit.
Ndërkohë policia vendore e Shkodrës vijon hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes së Ismet Çekores duke hetuar për konflikte të mundshme të më përparshme të familjes Çekorja pasi efektivët ashtu si vetë dy familjet e kanë të qartë tashmë se ngjarja ndaj Alban Bruçit nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e Ismet Çekores. Burimet pranë grupit hetimor bëjnë me dije se po punohet ne hetimet për ngjarje të para disa viteve me të cilat mendohet se ka qenë i përfshirë i biri i viktimës dhe vetë ai. Bajram Çekorja është një emër i njohur për policinë, pasi është ndaluar dy herë nga blutë e Shkodrës në vitin 2016 dhe 2019.
Kujtojmë se një person me motorr, me skafandë në kokë, është autori i vrasjes së 57-vjeçarit Ismet Çekorja. Kjo është ajo çfarë kanë evidentuar kamerat e sigurisë në vendngjarje, në lagjen “Guerrilë” aty ku u ekzekutua me 7 plumba pistolete 57-vjeçari Ismet Çekorja.